Edhe pak orë nga derbi i shumëpritur i kryeqytetit, vitrinës së futbollit shqiptar

13/03/2015 00:00

Më në fund, derbi i kryeqytetit do të luhet sot pas një sërë pengesash të hasura gjatë këtyre ditëve të fundit.

Tirana-Partizani është padyshim ndeshja më e madhe e historisë së futbollit shqiptar, ku përballen dhe dy klubet me më tepër histori e tifozë. Skuadra e Tiranës, si pritësja e këtij derbi, ka nxjerrë në treg rreth 15.000 bileta, që sipas gjasave janë të gjitha të shitura, edhe pse qëndruan në treg për më pak se 48 orë.

Nga ana tjetër, stadiumi kombëtar “Qemal Stafa” më në fund duket të ketë përfunduar restaurimin e pjesshëm, të filluar që në muajin janar. Tashmë tapeti i ri i tij do të inaugurohet sot, ashtu si edhe ndriçimi i përmirësuar.

Sipas ekspertëve, niveli i ndriçimit aktual i këtij stadiumi është 300 lux, që nuk kap as minimumin e lejueshëm, ndërkohë me ndërhyrjet e bëra pretendohet të shkojë në 800 lux, që në të vërtetë është sa gjysma e një ndeshjeje të Champions League, por mjaftueshëm për nivelin tonë.

Në tërësi u shpenzuan rreth 20 mln lekë për rikonstruksionin e “Qemal Stafës”, që në pamje të parë është i gatshëm për këtë derbi, që pritet të jetë i atij niveli si gjithmonë, për të cilin konsiderohet si ndeshja simbol e futbollit shqiptar.

Sa i përket aspektit sportiv, Tiranës do t’i mungojë në këtë ndeshje Elis Bakaj, i cili është i dëmtuar, ndërkohë që për “të kuqtë” nuk do të jetë në dispozicion Rrahmani, për arsye të grumbullimit të 3 kartonave të verdhë.

Derbi i sotëm është vendimtar edhe për objektivat sezonalë të të dyja skuadrave: Tirana për t’iu afruar më tepër Skënderbeut në krye, ndërsa Partizani për të ndarë përfundimisht mendjen, nëse do të vazhdojë të synojë për titull apo jo në këtë sezon.

Me kalimin e orëve është shtuar ankthi i trajnerëve, lojtarëve e tifozëve. Emocionet e kësaj superndeshjeje të kampionatit shqiptar, e cila do të startojë në orën 19:00, për të gjithë ata që nuk kanë pasur mundësinë të pajisen me një biletë, “SuperSport” do të jetë alternativa e tyre për të mos humbur derbin e 141-të kryeqytetas mes Tiranës dhe Partizanit.

Top Channel