Bundesliga, duele të forta për pretendentët e zonës së Europës

13/03/2015 00:00

Bayern Munchen ruan një kryesim të parrezikuar në renditjen e Bundesligës gjermane, ndaj dhe vëmendja është kthyer më shumë te kundërshtari i radhës që do t’iu dalë në çerekfinalet e Champions League.

Distanca me ndjekësin më të afërt është plot 11 pikë, gjë që tregon se bavarezët nuk rrezikohen aspak, edhe në rast të ndonjë hapi fals. E megjithatë, përveç kreut, janë edhe 3 vende të tjera që të dërgojnë në kompeticionin elitar të futbollit europian, të cilat do të përcaktohen deri në fund të sezonit.

Wolfsburgu i vendit të dytë është kandidati më i fortë që pritet t’i bashkohet Bayernit në Champions, ndërsa këtë javë pritet të ndeshen me Freiburgun e vendit të fundit, të dielën. Pas “ujqërve” renditet Borussia M’gladbach, e cila gjithashtu do të përballet me Hannoverin, një ekip që ende nuk e ka shijuar fitoren për vitin 2015.

Menjëherë pas Gladbachut dhe Leverkusenin të vendit të katërt, vjen Schalke, ecuria e të cilëve u ndal në Champions pavarësisht fitores 4-3 ndaj Real Madridit në “Bernabeu”, në mesjavë, ndërkohë që Augsburgu është ekipi surprizë që pretendon të sigurojë një vend mes katër më të mirëve.

Schalke do të udhëtojë drejt Berlinit, për t’u ndeshur me Herthan të shtunën, ndërsa bavarezët e Augsburgut presin Mainzin.

Diferenca mes 6 ekipeve të para dhe pjesës tjetër është rritur në 5 pikë gjatë javëve të fundit, e megjithatë Hoffenheimi do të presë Hamburgun të shtunën, ndërsa Werder Bremeni pret kampionët në fuqi të Bayernit në të njëjtën ditë. Në ndeshjet e tjera, Borussia Dortmund do të presë Këlnin në një takim, të cilin Jurgen Klopp e ka quajtur si “sfidë me vlerë 6-pikëshe për mbijetesë”. Eintracht Frankfurti do të ndeshet me Paderbornin e Mehas.

Top Channel