Ibrahimovic: Lojtarët e Chelsea-s reaguan si fëmijë

12/03/2015 00:00

Sulmuesi i Paris Saint-Germain, Zlatan Ibrahimovic ka kritikuar lojtarët e Chelsea-s për reagimin e tyre pas ndërhyrjen ndaj Oscar, për të cilën suedezi u ndëshkua me kartonin e kuq.

“Kur pash kartonin e kuq, mbeta i shtangur. Nuk e di se çfarë e shtyu gjyqtarin e ndeshjes të merrte atë vendim, ndoshta ai pa diçka tjetër. Por reagimi i lojtarëve të Chelsea-s ishte vërtet i turpshëm. Menjëherë pasi unë mora kartonin e kuq ata rrethuan arbitrin dhe nuk e di se ç’kërkonin. Mu duk sikur kisha rreth meje 11 fëmijë dhe u tërhoqa duke u larguar”, ka thënë sulmuesi i PSG.

Ai e la ekipin e tij me 10 lojtarë pas ndërhyrjes ndaj Oscar, të cilët gjyqtari e vlerësoi si të ndëshkueshme me kartonin e kuq, megjithëse ishte e diskutueshme.

Megjithatë, për Ibrahimovic-in i rëndësishëm ishte kualifikimi, për të cilën ai vlerëson maksimalisht shokët e tij.

“Ishte një paraqitje e mahnitshme, sepse ne luajtëm me një lojtar më pak, madje edhe përtej 90 minutave. Ata luajtën me zemër dhe treguan cilësi të mëdha”, përfundon Ibra.

Top Channel