Kategoria Superiore, “zhytet” Elbasani, shpreson Apolonia

08/03/2015 00:00

Kanë përfunduar dy takimet e para të javës së 26 së Kategorisë Superiore. Elbasani ka humbur ndaj Laçit me rezultatin 0-2 në një përballje ku golat për bardhezinjtë janë shënuar nga Xhejms (30’) dhe Sheta me 11-metërsh (75’).

Në ndeshjen tjetër, Apolonia po vazhdon me formën e saj të shkëlqyer të javëve të fundit duke mundur edhe Teutën, pasi në mesjavë fitoi ndaj Elbasanit.

Fierakët mposhtën rivalët direktë për mbijetesë me rezultatin 2-1. Golat për vendasit u shënuan nga Dimo (24’) dhe Fili (56’), ndërsa goli i vetëm i durrsakëve u shënua nga Kotobelli (80’).

Me këtë fitore, Apolonia e sheh veten vetëm 3 pikë larg Teutës në vendin e tetë të renditjes, që është edhe pozicioni i klasifikimit që të shpëton nga rënia një kategori më poshtë.

Në orën 17:00 do të luhen ndeshjet Tirana-Kukësi, Flamurtari-Skënderbeu dhe Vllaznia-Partizani.

Top Channel