Formula 1, vetëm një javë nga starti. Ferrari për të kapur Mercedesin

08/03/2015 00:00

Të dielën e ardhshme do të nisë sezoni i ri i Botërorit të Formula 1, me garën e parë që do të zhvillohet në Australi. Të gjitha skuderitë janë bërë gati dhe po transferojnë në ishullin-kontinent të gjitha makinat dhe sendet e nevojshme, pilotët, teknikët dhe mekanikët.

Në Melbourne do të dëgjohen edhe njëherë zhurmat karakteristike të njëvendësheve të garave të automobilizmit, ndërkohë që sapo kemi lënë pas rreth 1 muaj e gjysmë testimesh dimërore, gjatë të cilave Mercedes dhe Willams duket se nuk kanë treguar potencialin e vërtetë, ndërsa Ferrari dhe Red Bull janë përpjekur të kuptojnë nëse ka qenë e frytshme puna e bërë deri më tani. Gjithsesi, fjala e fundit i takon kronometrit, duke nisur nga e shtuna e ardhshme me provat zyrtare, ndërsa të dielën Çmimi i Madh i Australisë.

Kur ka mbetur ekzaktësisht 1 javë nga nisja e garës së parë, njihuni me formën dhe pilotët e 10 skuderive pjesëmarrëse të këtij edicioni.

MERCEDESPretendenti i padiskutueshëm për rikonfirmim
Shumë analistë dhe specialistë të fushës së automobilizmit i frikësohen faktit se “W06” mund të jetë edhe më e shpejtë dhe vrastare sesa paraardhësja e saj në vitin 2014, falë së cilës, pa hedhur poshtë edhe cilësinë e pilotëve, u siguruan të dy titujt e rëndësishëm: ai për pilotë dhe ai për konstruktorë. Hamilton fitoi titullin e tij të dytë, ndërkohë që shpresa e vetme për rivalët e tij duket se është besueshmëria, që jo gjithmonë shkon pa të meta.

Testimet: Viti 2014 me 4972 km, ndërsa viti 2015 me 612 km. Pilotët tepër të fortë. Vota 10.

FERRARI Pretendent për podium, pastaj rastësia…
Makina e re “SF15-T” mund të jetë forca e dytë e këtij botërori që do të nisë javën tjetër. Skuderia nga Maranello nuk fiton një Çmim të Madh që prej garës së Spanjës në vitin 2013. Objektivi është të mbyllet sezoni në mënyrën më të denjë të mundshme, sidomos për t’u rikthyer në podium. Ardhja e Vettel, i cili sezonin e fundit nuk e pati edhe aq pozitiv, ka sjellë entuziazëm, ndërsa Raikkonen duket se ka rilindur.

Testimet: Viti 2014 me 4488 km, ndërsa viti 2015 me 5422 km. Pilotët tepër të fortë. Vota 8.
 
WILLIAMS Të rikonfirmojë suksesin e sezonit të kaluar
Surpriza e vitit 2014 ishte padiskutim Williams, që pritet të rikonfirmojë veten këtë sezon, por pse jo edhe të rrëmbejë ndonjë fitore, që nuk ia doli mbanë vjet. Testimet kanë treguar se kanë një makinë të mirë, ndërsa Massa dhe Bottas kanë uri të theksuar për suksese, falë edhe eksperiencës së madhe.

Testimet: Viti 2014 me 4893 km, ndërsa viti 2015 me 5422 km. Pilotët të fortë. Vota 8.

RED BULL Sfidë me dy debutues të të vitpasvitshëm
Pasi humbën Vettelin, austriakët e Red Bull i kanë besuar gjithçka dyshes së formuar nga Ricciardo dhe Kvyat. I pari debutoi vjet në një skuderi të rëndësishme dhe me synime të mëdha, ndërsa i dyti do ta ketë për hërë të parë ngarjen e një njëvendëshe triumfuese. Shumë do të varet nga kompetiviteti i njësisë motorike, që nuk mund të krahasohet me Mercedesin, por që mund të jetë edhe pas Ferrarit.

Testimet: Viti 2014, 1711 km, ndërsa viti 2015 me 4351 km. Pilotët mesatarë. Vota 7.

MCLAREN Me shpresë te Zoti, shumë dobët në testime
Pas bashkëpunimit dhe debutimit të Hondas në Formula 1, askush nuk mund të mendonte se gjërat do të ishin të thjeshta, por edhe kaq keq nuk ishte menduar… shumë pak kilometra të garuara dhe aspak besueshmëri. Këto janë karakteristikat që kanë kushtësuar përgatitjet, veçanërisht me Alonson, i cili pësoi një aksident dhe do të mungojë në garën e parë. Në Melbourne do të zbresin Magnussen dhe Button.

Testimet: Viti 2014 me 4153 km, ndërsa viti 2015 me 1750 km. Pilotët mesatarë. Vota 7.

SAUBER Shpesh surprizues gjatë testimeve
Sauber do të prezantohet në Melbourne me Van der Garde, i cili është në kërkim të një vendi konstant në skuderi. Në testime gjërat kanë shkuar mirë, debutuesi Nasr ka bërë disa xhiro të shpejta, ndërsa pritet të zbulohet “anonimi” suedez Ericsson, që me Caterham thuajse nuk u njoh fare vjet.

Testimet: Viti 2014 me 4039 km, ndërsa viti 2015 me 5708 km. Pilotët të dobët. Vota 7.

Lotus, Toro Rosso dhe Force India janë tre ekipe mesatare-të dobëta, të cilat mund të konsiderohen si për të mbushur numrin, por pilotë si Grosjean e Maldonado (Lotus), Verstappen e Sainz Jr (Toro Rosso) dhe Hulkenberg e Perez (Force India) mund të nxjerrin ndonjë problem gjatë garave, me shpresën që të mos ndikojnë aspak në luftën për titull, pavarësisht se mirë do të ishte t’ua vështirësonin disi luftën pretendentëve. Të treja skuderitë kanë zhvilluar mbi 3 mijë km gjatë testimeve, por forca e tyre nuk mund të premtojë shumë.

Në fund Manor Marussia, një skuderi që e ka konfirmuar pjesëmarrjen në Botëror vetëm pak ditë më parë, por që deri më tani ka vetëm një pilot të regjistruar: anglezin Will Stevens. Ende nuk dihet nëse makina e tij është kompletuar, jo më të mendohet për pilotin e dytë. Kujtojmë që Marussia vjet falimentoi, ndërsa protagoniste nëpër lajme u bë vetëm falë aksidentit fatkeq të Jules Bianchi, që duket se vazhdon të jetë në koma.

FOTO GALERI
1/9
Lewis Hamilton, kampioni i botës në fuqi

Top Channel