Alonso e humbi ndërgjegjen përpara përplasjes? Dyshohet për ishemi

06/03/2015 00:00

Çdo ditë del nga një histori e re për incidentin e Fernando Alonsos, pak javë më parë në Barcelonë. Pas zbulimit se piloti spanjoll kishte humbur kujtesën, duke u rikthyer
në vitin e largët 1995, të rikuperuar vetëm pas një jave, mësohet edhe
diçka e re mbi shkakun e incidentit të tij.

Për të kuptuar se çfarë ndodhi realisht duket se po ndihmon një video e regjistruar nga kamera mbi kokën e pilotit të Ferrarit, Vettel, i cili në momentin që sapo kishte dalë në pistë po ndiqte McLarenin e spanjollit. Fjalët e vetë pilotit gjerman, i cili kishte folur menjëherë pas incidentit, por që atëherë u duk sikur fliste përçart, tashmë duken se kanë gjetur baza të forta.

Alonso ishte duke garuar vazhdimisht në pjesën e jashtme të pistës, por më pas, në mënyrë të papritur ngadalësoi, duke u spostuar në të djathtë nga pjesa e brendshme e kthesës, duke u përplasur fillimisht me murin mbrojtës e për të ndalur përfundimisht.

Kjo shpjegohet sikur piloti të mos e kishte më në kontroll timonin e mjetit, i cili dukej si pa drejtues. Ndaj, dyshohet se nuk ka pasur asnjë problem teknik, apo difekt të brendshëm të mjetit, por diçka ka ndodhur me vetë Fernandon.

Dyshohet që Alonso të mund të ketë humbur ndërgjegjen përpara sesa të dilte jashtë piste, por motivi për këtë mbetet ende i paqartë. Hipoteza e një gjendjeje shoku duket se humbet gjithnjë e më shumë, për shkak se ka shumë sisteme mbrojtjeje për të evituar qëndrimin e tij nën ndikimin e ndonjë shkëndije elektrike edhe në rastin më të keq.

E vetmja gjë që mbetet ka të bëjë me ndonjë sëmundje, teksa flitet për një sulm të përkohshëm ishemie, që mund të ketë goditur ish-pilotin e Ferrarit tashmë te McLaren. Kjo gjë mundet edhe të justifikohet me mos dhënien e lejes nga mjekët për të garuar në Australi. Mbi të gjitha, deri sa të kuptohet me të vërtetë se çfarë ndodhi. Por, fjalët e Ron Dennis, i cili është shprehur se nuk ishte i sigurt nëse Alonso ka qenë i ndërgjegjshëm përpara incidentit, duken se konfirmojnë hipotezën e një problemi fizik.

Top Channel