Të përbetuar pas futsallës

04/03/2015 00:00

Nuk janë veteranë futbolli dhe ky profesion nuk ka të bëjë fare me atë çfarë ata bëjnë në jetë. Megjithatë, për një lojë në fushën e blertë janë gati të bëjnë gjithçka. Prej vitesh këta zotërinj, sapo lënë punët dhe mbyllin detyrimet e ditës, vrapojnë drejt fushës së futsallës (kalcetos).

“Jemi një grup shokësh me profesione nga më të ndryshmet, që së bashku kemi krijuar një grup për të luajtur pothuajse 2 herë në javë. Kemi 7 vite që e praktikojmë në mënyrë të rregullt këtë lloj organizimi për të luajtur futboll”, thotë Ladi.

Dhe të gjithë janë të përbetuar për të ndjekur këtë itinerar shumëvjeçar të ndeshjeve të futbollit, edhe pse shumicës i duhet të vrapojë e të sakrifikojë për të qenë i përpiktë në takimin e radhës. Sokol Lazaj thotë se është shumë strikt në këtë angazhim dëfrimi.

“Jo vetëm strikt, por edhe kur vijmë nga puna në orët e vona të natës, qofshim edhe në kthime nga rrethe të largëta të Shqipërisë, shkojmë sa për t’u ndërruar në shtëpi dhe më pas vijmë për të luajtur futboll”, thotë Sokoli.

Ata kanë hartuar edhe një kalendar sportiv për ndeshjet e tyre, të cilin nuk ndodh kurrë ta braktisin. Për Edmondin, asnjë angazhim tjetër nuk mund t’ia përmbysë planin për “kalceton” me shokët.

“Jo s’bën vaki ndonjëherë. Është një orar i zënë për të gjithë vitin. Dy herë në javë, të hënë dhe të enjte, në orën 9 të darkës jemi këtu”, thotë Edmondi.

Kujtim Pire, një prej lojtarëve me profesion dentist, na bën të kuptojmë se në fund të ditës asgjë nuk përfundon si duhet, nëse nuk mbyllet me futboll.

“Futbolli na mban gjallë, por përveç se vijmë për të luajtur, edhe flasim me njëri-tjetrin për probleme apo gëzime, festojmë ditëlindje. Rrimë përtej orarit për biseda”, thotë Kujtimi.

Sigurisht që futbolli, për grupin e shokëve është kthyer në një përfitim shumëplanësh.

“Vij këtu të luaj me shokët e mi, si për të hequr stresin, edhe për të ndikuar pak në peshën time. Ju mund të pyesni se pas 7 vitesh që luan futboll je ende me këtë peshë? Po të mos luaja do isha edhe më i shëndetshëm”, thotë Sokoli.

Por nuk ka gjithmonë vetëm të mira pas këtij angazhimi dëfryes të përbetuar mes miqsh. E megjithatë, çdo situatë të padëshiruar ata ia dalin ta kthejnë në të qeshura.

“Gjatë lojës bëhen veprime të ndryshme, që shkaktojnë të qeshura te shokët. Dikush që është më i vjetër në moshë bie përtokë se nuk e mbajnë këmbët, ndërsa ata që janë më të rinj vrapojnë. Kështu që ne, 3-4 veta që jemi mbi 50 vjeç, mundohemi t’u përshtatemi këtyre më të rinjve”, thotë Ladi.

Ka ndodhur që shumë prej tyre të pësojnë dëmtime serioze, për shkak të një loje që të gjithë e marrin shumë seriozisht. Por çfarë ndodh më pas?

“Para 3-4 vitesh pësova një tërheqje muskulare të gradës së parë. Qëndrova 3 muaj shtrirë në shtëpi, e më pas 3 muaj me patericë në punë sa u bëra më mirë dhe pastaj erdha sërish këtu të luaj përsëri futboll. Me gruan nuk i kemi mirë punët për këtë, por kështu ndodh”, thotë Kujtimi.

E meqë jemi te gratë, shumë prej tyre nuk duhet të jenë fort të kënaqura me mungesat e vazhdueshme të burrave në shtëpi orëve të mbrëmjes. Por si e kanë zgjidhur këtë?

“Kemi bërë marrëveshje. Dy herë në javë luaj unë futboll dhe pas lojës mblidhemi me shokët, ndërsa ajo ma kalon: tre herë në javë shkon në palestër, teksa unë rri në shtëpi me fëmijët”, thotë Edmondi për bashkëshorten.

Ata thonë se nuk po bëjnë mëkat duke munguar dy-tre orë të vona në shtëpi, për dy herë në javë. Tek e fundit është diçka që duhet ta meritojnë, sipas tyre.

“Tani për ne burrat nuk ka asnjë festë, ndërsa për gratë ka sa të duash. Faktikisht jemi bërë për protestë apo për grevë, por e gjejmë zgjidhjen në tjetër mënyrë”, thotë Edmondi.

Me apo pa protestë, me apo pa mirëkuptimin e bashkëshorteve, me sforco ndaj angazhimeve dhe detyrimeve të përditshmërisë, ata nuk heqin dorë për të qenë këtu. Dy herë në javë çdo mbrëmje, duke vrapuar pas një argëtimi që u mbush jetën.

“Kemi sfiduar shiun, të ftohtin, dëmtimet fizike, shpesh kemi luajtur edhe orëve të vona në varësi të punës. Kemi sfiduar edhe gratë, me ndonjë debat të vogël, por edhe gratë na mirëkuptojnë”, tha Kujtimi.

Top Channel