Superiore, Kukësi barazon në Fier

28/02/2015 00:00

Në këtë javë të 24-t të Kampionatit Kombëtar të futbollit, Kukësi nuk mundi të fitojë në Fier. Vetëm goli i Pero Pejiç e shpëtoi ekipin nga humbja dhe e mban atë në krye të klasifikimit.

Lojtarët e Apolonisë, duke përfituar nga mefshtësia e kuksianëve arritën të shënonin 2 gola në 30 minutat e para, me anë të Filit dhe Uzunit, ndërsa shpërdoruan shumë raste të tjera.

Përgjumja e kuksianëve përfundoi në minutën ’83, kur Lushtaku shkurtoi diferencën e golave. Atëherë kur të gjithë mendonin se Apolonia do të merrte fitoren e parë pas 3 muajsh, Pejiç barazoi shifrat.

Ndërkohë, Skënderbeu pas 2 vjetësh ka arritur të fitojë në Durrës përballë Teutës. Ka qenë një gabim fëmijëror i Julian Brahjas që u dha mundësinë korçarëve që të ngjiten në vendin e dytë.

Mbrojtësi i Teutës hoqi me dorë një top nga zona duke bërë që arbitri ta ndëshkonte me të kuq dhe me një 11-metërsh. Kapiteni Shkëmbi ktheu në golin e vetëm të ndeshjes penalltinë, duke regjistruar fitoren e parë në “Niko Dovana” pas dy vjetësh.

Ndërkohë, 1-1 përfundoi takimi Vllaznia-Elbasani, rezultat që nuk ndryshon asgjë në renditjen e dy skuadrave; Ndërsa Flamurtari-Laçi u shty për shkak të reshjeve të dendura të shiut në Vlorë.

Top Channel