Luis Enrique: Kampionati është i gjatë, gjithçka mund të ndodhë

27/02/2015 00:00

Luis Enrique analizoi aktualitetin e Barcelonës në konferencën për shtyp para ndeshjes që katalanasit do të luajnë në transfertë ndaj Granadës (e shtunë, ora 16:00). Trajneri i azulgranave, kur u pyet për diferencën prej 4 pikësh që ka skuadra e tij me kryesuesit e Real Madrid, tha se nuk ndihet aspak nën presion pasi një tjetër hap fals nuk do të thotë t’i japësh lamtumirën kampionatit.

Granada – Cdo ndeshje ka vështirësinë e saj. Kundërshtari ka nevojë për pikë dhe gjithmonë e kemi pasur të vështirë me Granadën. Sa më shumë kalojnë javët, aq më shumë bëhet e detyrueshme marrja e pikëve. Mendoj se do të mbrohen mirë dhe do të përpiqen të na godasin me kundërsulme.

Veprimi i Alvesit në Mançester – Dani është një nga lojtarët më të këndshëm të skuadrës. Ka një karakter fitues, e njoh personalisht dhe profesionalisht. Është shembull për të gjithë. Nuk është hera e parë që një lojtar nervozohet kur e zëvendësojnë. I ndodh shumë futbollistëve.

Xavi – Nuk mund të luajnë të gjithë. Xavi është paraqitur shumë mirë sa herë që ka luajtur dhe e ka ndihmuar skuadrën. Më vjen keq që po luan pak, por nuk kam minuta për të gjithë.

Kryesimi i kampionatit
– Mund të bëjmë gabime të tjera dhe sërish të fitojmë titullin. Sezonet e fundit kanë treguar se gjithçka mund të ndodhë.

Top Channel