Tirana-Partizani luhet në “Qemal Stafa” pas 2 javësh

27/02/2015 00:00

Tirana dhe Partizani janë tërhequr përballë presionit të tifozerive përkatëse duke shtyrë me dy javë përballjen mes tyre e cila do të luhet në stadiumin “Qemal Stafa”.

Dy skuadrat e kryeqytetit kanë arritur marrëveshjen për shtyrjen e takimit. Fillimisht ishte parashikuar që ndeshja të luhej në “Qemal Stafa” këtë të premte, por ekspertët e refuzuan këtë duke thënë se tapeti i ri i fushës nuk është gati.

Mësohet se Tirana ka propozuar shtyrjen e takimit për një tjetër datë, propozim që fillimisht është refuzuar nga Partizani. Për këtë bardheblutë, si organizatorë të takimit janë vënë në kërkim të një fushe për të zhvilluar ndeshjen më të rëndësishme të kampionatit shqiptar.

E vetmja fushë e lirë për këtë fundjavë dhe afër tifozerisë ishte ajo e Peqinit që u komunikua edhe në një njoftim zyrtar të FSHF-së.

Kapacitetet e këtij stadiumi kanë nxitur pakënaqësi në radhët e tifozerive, si të Tiranës, ashtu edhe të Partizanit. Menjëherë dy klubet janë rivënë në kontakt për të konsideruar mundësinë e shtyrjes së takimit dhe një vendim të tillë e kanë marrë ditën e premte.

Top Channel