Ribery: Franca më ka zhgënjyer. Mund të marr shtetësinë gjermane

26/02/2015 00:00

Ai vetë nuk mund të veshë fanelën e Gjermanisë pasi ka veshur plot 81 herë në atë të Francës, por Frank Ribery nuk përjashton mundësinë që një ditë djali i tij të luajë me përfaqësuesen gjermane.

Futbollisti francez, që luan për Bajernin që prej vitit 2007 deklaroi për “Bild” se në Gjermani ndjehet mirë dhe se nuk ka ndërmend të rikthehet në Francë.

“Të bëhem një shtetas gjerman? Pse jo. Në përfundim të karrierës time si futbollist besoj se do të vazhdoj të qendroj në Mynih. Ndjehem mjaft mirë në Gjermani. Mund të marrë nënshtetësinë gjermane edhe për të mirën e familjes dhe të ardhmes së fëmijëve të mi. Tashmë kam përvetësuar mentalitetin gjerman dhe më pëlqen shumë”, thotë ai.

“Vajza qesh me theksin tim të gjermanishtës, ndërsa djali Saif ka lindur këtu. Ata që të dy ndjehen shumë mirë këtu dhe kanë shumë miq gjermanë”, shtoi ish-futbollisti i kombëtares franceze.

Ribery hoqi dorë prej kombëtares dhe nuk ishte pjesë e skuadrës që luajti në botërorin e Brazilit, duke ngjallur shumë debate në median sportive franceze.

“Jam i zhgënjyer me atë që u tha për arsyet pse nuk shkova në botëror. Fundja prania e Francës atje ishte edhe për meritën time. Megjithatë, tashmë për mua ka marrë fund çdo gjë, nuk shoh më televizion francez dhe as lexoj më gazetat e tyre”, deklaron mesfushori i Bajernit.

Top Channel