Juventus-Dortmund, Allegri: Mos pësojmë gol

23/02/2015 00:00

Të martën Juventusi pret në Torino Dortmundin në ndeshjen e parë të fazës së një të tetave të Ligës së Kampioneve.

Italianët vijnë në këtë ndeshje si kryesuesit e Serisë A, ndërsa verdhezinjtë e Jurgen Klopp ende notojnë në fundin e tabelës së klasifikimit në Bundesligë, megjithëse në tre javët e fundit kanë marrë tri fitore radhazi.

Për trajnerin e Juventusit, Massimiliano Allegri renditja e Dortmund në Bundesligë nuk do të thotë asgjë.

“Janë një skuadër që në ditën e tyre më të mirë mund të mposhtin çdo ekip, ndaj duhet të jemi të kujdesshëm”, thotë ai.

Për Allegri-n skuadra që ai drejton ka mjetet e duhura për të siguruar kualifikimin dhe e rëndësishmë është që të mos pësohet gol në ndeshjen e parë. Pika e fortë e Dortmundit sipas tij është përvoja e përfituar vitet e fundit në këtë kompeticion.

“Vitet e fundit kanë patur shumë suksese në këtë kompeticion dhe për këtë janë një hap para nesh, ndërsa kanë edhe një trajner të suksesshëm si Klopp”, shprehet ai.

Sa i përket formacionit, pas paraqitjeve zhgenjyese të javëve të fundit në Serinë A Allegri do të heqë dorë nga markimi një për një në mbrojtje në mënyrë që prapavija të mos kapet në befasi, sidomos nga kundërsulmet. Një tjetër shqetësim është edhe forma e Vidal i cili i është bashkuar grupit së fundmi pas një dëmtimi.

Sipas mediave gjermane, Dortmund pritet të luajë me skemën e finales së Ligës së Kampioneve të 2013-ës, duke zëvendësuar Levandovskin me Abumejang dhe Groskrojs me Nuri Shahin.

Sa i takon përballjeve kjo është hera e tetë që këto dy skuadra përballen në kupat e Europës. Në shtatë ndeshjet e para bardhezinjtë kanë 4 fitore, Dortmundi 2 përfshirë këtu edhe atë të finales së Ligës së Kampioneve në vitin 1997 dhe një takim është mbyllur në barazim.

Top Channel