Samp-Genoa, reshjet shtyjnë sfidën për të martën, 24 shkurt

22/02/2015 00:00

Derbi i shumëpritur i Xhenovës, mes Sampdorias dhe Genoas, nuk mund të luhej mbrëmjen e djeshme për shkak të reshjeve të dendura të shiut. Vendimin e ka marrë arbitri Gianluca Rocchi, pasi kishte hyrë dy herë në fushë për të kontrolluar situatën (20:40 dhe 21:04), duke parë më të arsyeshme shtyrjen e takimit të parë të javës së 24-t të Serie A.

Dhe, pas një grindjeje momentale mes dy klubeve, të cilët donin që takimi të zhvillohej ditën e sotme, në orën 22:40 të mbrëmjes së të shtunës u arrit marrëveshja që ndeshja të luhej të martën, 24 shkurt, më 18:30. Për shkak të kësaj shtyrjeje të paparashikuar më herët nga kalendari, do të shtyhet gjithashtu edhe ndeshja Atalanta-Sampdoria e javës së ardhshme, që pritej të luhej të shtunën më 18:00, por kjo vetëm me një ditë, duke qenë se do të luhet të dielën e ardhshme më 15:00.

Presidenti Enrico Preziosi kërkonte që takimi të luhej brenda 48 orëve të ardhshme, madje i gatshëm ishte edhe për të hënën apo të martën, por Sampdoria kërkonte një kohë më të gjatë. Ndërkaq, “sherrin” në dhomat e zhveshjes së “Marassi”-t u mundua ta shuante disi Lega Calcio, e cila vendosi dy data në dispozicion: të martën e 3 marsit, ose të mërkurën e 11 marsit, por asnjëra prej tyre nuk u pranua, duke vendosur 24 shkurtin.

Pas zyrtarizimit të shtyrjes së ndeshjes, lojtarët e Sampdorias dhe Genoas zbritën sërish në fushë për të përshëndetur tifozët respektivë, të cilët nuk e kanë mirëpritur këtë gjë duke ditur se ishin përgatitur për një “duel të nxehtë” mes rivalëve të të njëjtit qytet.

Kjo është hera e tretë në 15 vitet e fundit, që derbi i “Lanterna”-s, e për më tepër kur pritëse është Sampdoria, shtyhet për shkak të motit të keq. Hera e parë më 6 nëntor 2000, kur skuadrat militonin në Serie B e fituar nga Samp; hera e dytë më 19 dhjetor 2010, në Serie A, e fituar nga Genoa; ndërsa për fituesin e të tretës do të duhet të presim të martën e ardhshme.

Top Channel