Malaga bën surprizën, mposht Barcelonën në “Camp Nou”

21/02/2015 00:00

Barcelona humbi shansin më të mirë për të parakaluar të paktën për 24 orë Real Madrid në klasifikim.

Në “Camp Nou”, skuadra katalanase u befasua nga Malaga, ndaj së cilës humbi me rezultatin 1-0, duke ndërprerë në këtë mënyrë serinë e 11 fitoreve radhazi.

Ishte një ndeshje ku Barcelona nuk zhvilloi lojën e saj më të mirë, kjo edhe për meritë të futbollistëve të skuadrës andaluziane që ditën të shkëpusnin çdo lidhje mes Neymar, Mesi dhe Suarez.

Minuta e ‘8 ishte fatale për katalanasit kur pësuan edhe golin e Juanmi, i cili përfitoi mjaft mirë edhe nga një gafë e Dani Alves në tentativë për të kthyer topin në mbrojtje.

Barcelona u përpoq të reagonte, por e pati të vështirë të gjente hapësira në mbrojtjen e Malagës, e cila në ato pak dalje në sulm ngjalli jo pak panik në zonën e katalanasve.

Me kalimin e minutave gjërat u bënë akoma më të vështira për të besuarit e Luis Enrique, të cilët në momente të caktuara u shfaqën edhe nervozë.

Në fund ajo që doli nga “Camp Nou” me 3 pikët ishte Malaga, gjë që kënaq jo pak Real Madrid, që të dielën do të luajë ndaj Elches për të çuar sërish në 4 diferencën e pikëve me Barcelonën.

Top Channel