Aksidentohet gazetari Çim Peka, jashtë rrezikut. Humb jetën pasagjerja

19/02/2015 00:00

Një aksident i rëndë u regjistrua rreth orës 19:30 të së enjtes, në afërsi të Mulletit, pas përplasjes së dy automjeteve. Si pasojë e këtij aksidenti ka humbur jetën një 30-vjeçare, e identifikuar më pas si Fleura Kola, e cila udhëtonte në automjetin tip “Benz”, me targa AA 099 GB, që drejtohej nga gazetari Çim Peka.

Edhe ky i fundit ka pësuar dëmtime, por fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën. Mësohet se Fleura Kola, e cila është vajza e ish-ambasadorit të Shqipërisë në Romë, Llesh Kola, ka ndërruar jetë menjëherë, duke mos u rezistuar plagëve të marra.

Automjeti i drejtuar nga Peka ka qenë duke u kthyer nga Elbasani, kur është përplasur përballë me një automjet tip “Audi”, me targa AA 566 HT, i drejtuar nga Emiljano Pelushi, që po udhëtonte nga Tirana në drejtim të Elbasanit.

Veç Pekës e Pelushit, ka mbetur i plagosur dhe një tjetër person, i cili gjendej në automjetin “Audi”. Nga të dhënat e para hetimore rezulton se të dy automjetet kanë qenë duke udhëtuar me shpejtësi, ndërsa priten përgjigjet e ekspertizës. Ndërkaq, tre të plagosurit janë dërguar në Spitalin e Traumës, ku janë nën kujdesin e mjekëve.

Top Channel