Kosovë, 100 mijë euro për stadiumin e Mitrovicës

18/02/2015 00:00

Shkatërrimi i stadiumit të Mitrovicës nga zjarri në fillim të këtij viti i kushton buxhetit të Kosovës 100 mijë euro. Kjo shumë parash është ndarë nga kabineti qeveritar për të kompensuar dëmin e shkaktuar, ndërsa mjetet vijnë nga shpenzimet e paparashikuara të rezervave të qeverisë dhe barten nga Zyra e kryeministrit.

Qeveria mori vendim po kështu për ndarjen e mjeteve financiare, në vlerë rreth 142 mijë euro, për mbulimin e shpenzimeve të punës së komisionit qeveritar për verifikimin e statusit të veteranëve të UÇK-së për vitin 2015.

Kryeministri Mustafa kërkoi nga anëtarët e kabinetit qeveritar që me prioritet të lartë të trajtojnë dhe përgatisin përgjigjet në pyetësorin për Konferencën e Berlinit për Ballkanin Perëndimor, që sivjet do të mbahet në Vjenë.

“Ministritë kanë për detyrë evidentojnë projektet zhvillimore nga fusha të caktuara dhe të bëjnë prezantimin dhe argumentimin e tyre”, deklaroi Mustafa.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së mërkurës emëroi edhe sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë se Punëve të Jashtme. Kreshnik Gashi, që deri më tani ishte nëndrejtor i përgjithshëm në Autoritetin e Aviacionit Civil, u emërua në postin në fjalë për një mandat tre vjecar.

Top Channel