Laurent Blanc: Zhvilluam një ndeshje gati perfekte

18/02/2015 00:00

PSG dhe Chelsea u ndalën në barazim 1-1 mbrëmjen e së martës në fazën e 1/8-ave të Champions League.

Trajneri i francezëve, Laurent Blanc u shpreh shumë i kënaqur me atë që lojtarët e tij dhanë në fushën e blertë, pavarësisht se nuk arritën të fitonin.

“Ne ishim përgatitur në maksimum për këtë ndeshje dhe e kishim menduar ç’mund të bënte kundërshtari. Ishte kënaqësi të shikoje lojën tonë. Ne kemi luajtur mirë, pothuajse një ndeshje perfekte”, tha Blanc.

Por, Blanc shtoi se ishte i pakënaqur me rezultatin, pasi ekipi i Mourinho-s u tregua pragmatist. “Ata erdhën në Paris për të na shënuar një gol dhe këtë e arritën. Ishte një moment kur ne po mundoheshim të mbulonim Hazard dhe Willian, ndërsa ata zhvilluan një aksion me 3 mbrojtës dhe na ndëshkuan. Gjithçka tashmë është e hapur për ndeshjen e kthimit. Ne do të sulmojmë edhe në Londër dhe jemi të vetëdijshëm se një gol është i mjaftueshëm, nëse do të mbrohemi mirë”, shtoi francezi.

Ndërsa portugezi i Chelsea-s, Mourinho është shprehur i kënaqur vetëm me 45 minutat e para nga ekipi i tij dhe shton se në fund të takimit PSG ishte më pranë fitores.

“Në pjesën e parë ne luajtëm më mirë, pasi ata ishin të zhvendosur shumë përpara dhe ne arritëm të kontrollojmë lojën dhe të shënonim. Në 45 minutat e dyta ata ishin më agresiv. Barazimi ishte një rezultat i drejtë, por nëse kemi parasysh topat e pritur nga portieri ynë, ata ishin më pranë fitore”, tha Mourinho.

Ndeshja e kthimit ndërmjet Chelsea-s dhe PSG do të zhvillohet në “Stamford Bridge” më 11 mars.

Top Channel