Asnjë përmirësim për Michael Schumacher

17/02/2015 00:00

Gjendja shëndetësore e Michael Schumacher nuk ka asnjë përmirësim. Ky lajm është publikuar nga gazeta angleze ‘Daily Express’ dhe ajo italiane ‘La Gazzeta dello Sport’.

Sipas burimeve të këtyre gazetave, 46-vjeçari, viktimë e një aksidenti me ski dhjetorin e vitit 2013, nuk është akoma në gjendje të flasë dhe të ecë.

7 herë kampioni i Botës në Formula 1 po vijon rehabilitimin në një dhomë të shndërruar në spital në rezidencën e tij në Zvicër dhe po ndiqet nga një skuadër prej 15 specialistësh, mes të cilëve neurologë dhe fizioterapistë.

Ndërkohë, sipas mjekut francez Pajen, i cili ndoqi gjendjen shëndetësore të Shumit pas aksidentit, do të duhen të paktën 3 vjet për të parë ndonjë përmirësim.

Gazeta britanike thekson njëkohësisht se deri tani Schumacher ka humbur mbi 25 kg peshë trupore, ndërkohë që edhe pse përmirësimet janë shumë të pakta, shpenzimet mjekësore për të kanë kaluar shifrën e 13.5 milionë eurove.

Top Channel