Atletico humb me Celta Vigon, Simeone: Gabova me formacionin

16/02/2015 00:00

Atletico Madrid humbi 2-0 në transfertë ndaj Celta Vigos duke prishur imazhin e mirë që kishte ofruar vetëm një javë më parë, kur shkatërroi 4-0 Realin e Madridit në “Vicente Calderon”.

Kampionët në fuqi të Spanjës u dominuan nga fillimi në fund duke mos shfaqur për asnjë moment rrezikshmëri në portën e vendasve modestë.

Trajneri i bardhekuqve, Diego Pablo Simeone, tha pas ndeshjes se faji ishte i tij, pasi ishte ai që kishte gabuar me formacionin: “Zgjodha gabim formacionin dhe humba 45 minutat e pjesës së parë. Nuk arrita të ekuilibroja skuadrën në mënyrë që të ishte e vendosur shumë mirë në fushë.”

Në këtë ndeshje, Atletico vinte me mungesat e Arda Turan dhe Koke, të cilët i munguan shumë skuadrës në mesfushë.

Pas kësaj humbjeje, Atletico Madrid e sheh veten në vendin e tretë, të distancuar 6 pikë nga Barcelona e vendit të dytë dhe 7 nga Reali i vendit të parë.

Top Channel