Seria A, ndalen Juventus dhe Roma

16/02/2015 00:00

Juventusi nuk ka arritur të përfitojë nga hapi fals i Romës, e cila barazoi 0-0 me Parmën, për të çuar në +9 diferencën, pasi është ndalur në barazim 2-2 nga Cezena e vendit të parafundit.

Edhe pse torinezët patën mundësi të fitonin këtë ndeshje, Vidal në minutën e 82 gaboi nga pika e 11-metërshit, duke e nxjerrë topin jashtë.

Në ndeshjet e tjera të Serisë A italiane, Milani ka zhgënjyer sërish duke barazuar në shtëpi 1-1 me Empolin e Hysajt, duke u renditur aktualisht në vendin e 11 me 30 pikë.

Ndërkaq, Interi ka shkatërruar me rezultatin e thelle 1-4 Atalantën në Bergamo, ku siparin e golave e hapi Xherdan Shaqiri nga pika e 11-metërshit. Me këtë fitore, Interi ngjitet në vendin e 10 me 32 pikë.

Fitore në transfertë ka arritur dhe Lazio e Berishës dhe Canës, e cila ka mundur Udinezen 0-1.  Me këtë fitore, Lazio përforcon pozitat në vendin e 5 të renditjes, çka do të thotë një biletë për në kupat e Europës.

Top Channel