Reali, fitorja 2-0 ndaj Deportivos, kundërpërgjigje ndaj kritikave

15/02/2015 00:00

Reali ka hedhur një hap të vogël përpara për të rikthyer nderin e tyre në vend, pas humbjes shpartalluese të javës së kaluar në derbin me Atleticon, duke mposhtur 2-0 Deportivon në “Bernabeu”.

Ekipi i Ancelottit gjendet tashmë 4 pikë larg ndaj Barcelonës së vendit të dytë, por katalanasit do të luajnë ditën e sotme ndaj Levantes. Golat nga Isco dhe Benzema, nga një në secilën pjesë, kanë rikthyer optimizmin edhe te tifozët, pavarësisht se ata e vërshëllyen disa herë ekipin për performanca shumë larg të qenit kampionë Europe.

Trajneri italian i madrilenëve pasi lavdëroi përgjigjen e të tijve në fushën e blertë ndaj kritikave, nuk u dha shumë rëndësi vërshëllimave të tifozëve, ndërkohë që falënderoi shumicën e atyre që siç theksoi ai “nuk i kthyen shpinën skuadrës gjatë një momenti të vështirë”.

“Nuk ishte një ndeshje e lehtë. Thjesht luajtëm mirë në disa momente, por patëm edhe vështirësi gjithashtu”, tha Ancelotti. “Kjo ishte një javë e vështirë për ne, por arritëm ta mbyllnim me një fitore që do të na ndihmojë. Ishim të shqetësuar në fillim, por gjithçka shkoi mirë në fund të takimit”.
 
Edhe Sevilla u rikthye te fitorja pas dy humbjeve radhazi, duke mposhtur 3-0 ndaj Cordobas, në një takim ku të dyja skuadrat e mbyllën 90-minutëshin me numër të reduktuar lojtarësh.

Karton të kuq pati gjithashtu dhe në një tjetër ndeshje të së shtunës, atë mes Granadas dhe Athletic Bilbaos, por baskët dështuan të shfrytëzonin superioritetin numerik dhe përballja u mbyll me rrjeta të paprekura.

Espanyoli, gjysmëfinalist i Kupës së Mbretit, i dha fund ecurisë së dobët në kampionat me një fitore 2-0 ndaj Malagas, një sukses i arritur edhe falë portierit Kiko Casilla, i cili priti një penallti të Amrabat.

Top Channel