“Çmendet” Bajerni, 8 gola Hamburgut, “ping-pong” në Leverkusen

14/02/2015 00:00

Bajerni u mbyll gojën kritikëve për paraqitjet zhgenjyese me të cilat nisi këtë vit, duke shkatërruar me rezultatin 8-0 skuadrën e Hamburgut.

Rezultatin e zhbllokoi Muller në minutën e 21 nga pika e bardhë, ndërsa Gotze dy minuta më vonë dyfishon. Robben në minutën e 36 vulos rezultatin 3-0 pjesën e parë.

Pjesa e dytë nis sërish me Robben, që dy minuta nga nisja shënon golin e dytë personal dhe të katërtin për skuadrën. Në minutën e 55 Muller realizon sërish dhe pa përfunduar festimin e këtij goli, Levandovski shënon të gjashtin.

Pas pak më shumë se 10 minutash ishte radha e Ribery që të vendoste emrin e vet në tabelën që tregonte rezultatin, ndërsa në minutat e fundit Gotze vulosi shifrën 8-0.

Një tjetër goleadë, por këtë herë me e ekuilibruar ishte në Leverkusen. Vendasit mbyllën në disavantazhin e 3 golave pjesën e parë ndaj Volfsburgut, por reagojnë në të dytën duke e çuar rezultatin në 4 me 4. Në minutat  e fundit falë edhe avantazhit numerik, pasi Spahic u largua me dy të verdhë në minutën e 82 për Leverkusenin, Volfsburgu shënon golin e pestë dhe merr fitoren 5-4 në një fushë të vështirë.

Verder Bremen vazhdon formën e mirë që po kalon dhe jo vetë që iu shkëputen fundit të ftohtë, por tani e shohin veten edhe në garë për pjesëmarrje në kupat e Europës. Vendasit fituan 3-2 përballë Augsburgut, ndërsa Hofenhemi mposhti 2-1 Shtutgartin dhe Borusia M. 1-0 Këlnin.

Ajo që bie në sy është sasia e golave, plot 26 të tillë në pesë ndeshje, një rekord më vete për këtë javë të Bundesligës që mund edhe të thellohet duke patur parasysh që janë edhe tre takime të tjera për t’u zhvilluar.

Top Channel