Ancelotti: Cristiano të bëjë çfarë të dojë në jetën private

13/02/2015 00:00

Carlo Ancelotti ka folur mbi festën e ditëlindjes që zhvilloi Cristiano Ronaldo pas humbjes 4-0 që pësoi Real Madrid në derbin kundër Atletico Madrid. Trajneri italian nuk sheh asgjë të keqe pasi sipas tij, lojtarët e Realit e kanë treguar në fushë profesionalitetin e tyre.

“Kurrë nuk kam folur për jetën private të futbollistëve dhe nuk do nis tani ta bëj këtë gjë. Secili bën atë që do”, deklaroi Ancelotti, i cili ka fituar tre Champions League në karrierën e tij si trajner.

“Problemi është se ka njerëz që mendojnë se festa tregon joprofesionalizëm. Këta lojtarë e kanë treguar tashmë sa profesionistë janë. E kanë treguar sezonin e kaluar dhe po e tregojnë edhe këtë sezon. Kanë fituar shumë. Unë i gjykoj vetëm si sportistë dhe nuk kam dyshime mbi profesionalizmin e tyre”, shtoi trajneri i Realit, skuadër e cila do të ndeshet të shtunën me Deportivo La Coruna në stadiumin “Santiago Bernabeu”.

Ancelotti pranon se skuadra e tij ka pësuar një rënie në disa aspekte: “Kemi ulur intensitetin dhe nivelin e përqendrimit. Nuk e di nëse është normale kjo që ka ndodhur. Duhet të përqendrohemi sërish dhe të mendojmë për objektivat sezonalë që duhet t’i arrijmë. Pres një reagim nga skuadra nesër.”

Top Channel