Arbitrat e Bundesligës ankohen për sjelljen e Guardiolës

11/02/2015 00:00

Arbitrat e Bundesligës janë mërzitur shumë nga sjellja e Pep Guardiolës. Gjatë ndeshjes ndaj Schalke 04, trajneri i Bayern Munchen doli nga zona e tij dhe shkoi me vrap te arbitri anësor për t’u ankuar për golin që ky i fundit i anuloi sulmuesit Lewandowski kur ndeshja ishte 0-0.

Jo vetëm kaq. Trajneri spanjoll habiti të gjithë edhe kur përqafoi arbitrin e katërt në momentin që shënoi gol Arjen Robben po në këtë takim.

Herbert Fandel, presidenti i arbitrave të kampionatit gjerman, tha për ‘Sport Bild’: “Pep Guardiola do të bënte mirë që të ndryshonte sjelljen e tij menjëherë. Me gjithë respektin që kam për emocionet gjatë një ndeshjeje, reagimet e tij në ndeshjen ndaj Schalke 04 kaluan çdo kufi. Një trajner që lë zonën e tij teknike dhe vrapon drejt anësorit që ndodhet në flamurin e këndit duhet ndëshkuar me karton të kuq.”

Top Channel