NBA, Popovich i Spursave kthehet në mit, plot 1000 fitore në sezonet e rregullta

10/02/2015 00:00

Gregg Popovich është kthyer në një mit të basketbollit amerikan, pasi në Indianapolis kundër Indiana Pacers ka arritur suksesin e tij të 1000-të në karrierë, një shifër që të bën përshtypje qoftë vetëm duke e thënë, pa hyrë në detaje ku për t’u theksuar është fakti se bëhet fjalë vetëm për sezonet e rregullta, pa përfshirë “play-off”-et.

Ai është trajneri i nëntë që ka arritur suksesin me katër shifra, ndërkohë që në krye është Don Nelson me 1334 fitore, e më pas renditen Wilkens, Sloan, Riley, Jackson, Karl, Brown dhe Adelman. Trajneri të të famshëm të San Antonio Spurs i shtohen gjithashtu edhe 149 fitore në fazat “play-off”, e në këtë rast do të ngjitej në podium së bashku me Jackson dhe Riley.

Një objektiv i cili është arritur falë punës së 19 sezoneve të kaluara si tekniku i parë i Spursave, një ekip që përpara se të vinte trajneri Gregg nuk ishte gjë tjetër veçse një franshizë humbëse, e që nuk kishte shkuar kurrë në finalet e mëdha. Ndërsa sot, ata janë mishërim i franshizës fituese të NBA-së.

Gjithçka nisi më 10 dhjetor 1996 dhe në një mënyrë shumë pak elegante. Popovich, atëherë një drejtues i thjeshtë i Spursave, shkarkoi trajnerin Bob Hill dhe ishte vetëpromovuar si trajner. Ndeshja e parë në pankinë për të shënohet më 14 dhjetor, kundër Dallasit. Ishte fitore sigurisht, por erdhi pas një përqafimi në fund me Avery Johnson, i cili më pas u bë organizatori dhe lideri i titullit të parë.

Nisi gjithçka në mënyrë të paparashikueshme, por ndihmoi edhe “lotaria” e bekuar e vitit 1997. San Antonio zgjodhi Tim Duncan në zgjedhjen e parë të “draftit”, të cilin e zbritën në parket në krah të David Robinson. Dy kampionë në parkete, por edhe zotërinj jashtë saj. Titulli i parë u arrit në vitin 1999 kundër Knicksave, me dyshen “kullat binjake”. I dyti i arrit në 2003-shin ndaj Netsave, i cili ishte i fundit me Robinson dhe i pari me Parkerin dhe Ginobili. Triumfi i radhës erdhi në 2005-n kundër Detroitit të vëllezërve Ben e Rashid Wallace. Por i rëndësishëm ishte ai i 2007-s kundër Clevelandit të LeBron Jamesit. Nuk mjaftohen me kaq, sepse tani hyjmë në historinë “moderne”, me finalet e humbura në mënyrë të befasishme ndaj Miami Heat në 2013-n, por hakmarrja ishte shumë e shpjetë, vetëm një vit më pas, duke marrë unazën e pestë të artë si për Popovich, edhe për Tim Duncan.

“Nëse nuk do të kishim ‘peshkuar’ Duncan në draftin e atij viti, sot do të ishin të pakta mundësitë të ishim këtu dhe të flisnim për këto shifra”, komenton prerazi Popovich, duke buzëqeshur.

Top Channel