Kupa e Mbretit, Barça sërish ndaj “nëndetëses së verdhë”

10/02/2015 00:00

Barcelona do të vihet në kërkim të fitores së dhjetë radhazi, për të hedhur edhe një hap më tej drejt finales së Kupës së Mbretit, kur të presin mbrëmjen e sotme Villarrealin në takimin e parë të gjysmëfinaleve.

Katalanasit janë rikthyer në formën e tyre më të mirë, edhe pse klubi u duk buzë krizës institucionale pas revoltës në dhomat e zhveshjes, që shpërtheu pas humbjes 1-0 ndaj Real Sociedadit në fillim të vitit.

Talenti brazilian Neymar ka luajtur një rol kyç përgjatë kësaj ecurie, së bashku me Lionel Messin dhe Luis Suarezin. Të tre ata mundën të shënonin ndaj Bilbaos në fitoren 5-2 të së dielës, kur Barcelona shkurtoi diferencën në një pikë me kryesuesit e La Ligës, Real Madrid, ndërkohë që kanë shënuar plot 34 gola në 9 ndeshjet e fundit.

“Jemi duke u përmirësuar ditë pas dite, por na duhet të punojmë sërish fort për t’u përmirësuar edhe më”, tha Neymar, i cili ka shënuar 23 gola në 27 takime të luajtura këtë sezon. “Më shumë sesa vetë golat, e rëndësishme është të ndihmoj shokët e mi të skuadrës. Ne nuk duhet të ndalemi tani, por duhet të vijojmë këtë ecuri”.

Kapiteni Xavi u rikthye me ekipin përpara sfidës së të dielës, kur Barça siguroi të parën fitore ndaj baskëve që prej vitit 2010, por mesfushori veteran është i vendosur se ekipi duhet të ruajë këtë moment të mirë në të gjitha frontet, duke qenë se edhe Champions League do të rikthehet javën e ardhshme, ku katalanasit do të ndeshen me Manchester Cityn .

Villarreali e ka pësuar një “show” të dyshes Messi-Neymar vetëm pak javë më parë, por ata ia vështirësuan me të vërtetë “jetën” vendasve në “Camp Nou”, kur kaluan dy herë në avantazh më 1 shkurt, edhe pse “blaugranat” triumfuan në fund 3-2 në La Liga.

Ajo ishte humbja e vetme për “nëndetësen e verdhë” në 20 ndeshjet e fundit, por trajneri Marcelino paralajmëron ndryshime në ekipin e tij, që fitoi 2-0 ndaj Granadas në fundjavë, pasi objektivi parësor i tyre është të përfundojnë ndër 4 ekipet e para në La Liga.

Në gjysmëfinalen tjetër, Espanyoli do të udhëtojë në transfertën baske për t’u përballur me Athletic Bilbaon, dy ekipe që gjenden në mesin e renditjes së kampionatit spanjoll, por që e dinë mirë se e vetmja mundësi për të luajtur në Europë vitin e ardhshëm është përmes fitimit të Kupës së Mbretit.

Top Channel