Guardiola karikon bavarezët: Duhet të rikthehemi te loja jonë

09/02/2015 00:00

Ndërkohë që Bayern Munchen ecën i qetë dhe në mënyrë të paevitueshme drejt titullit të 25-të kampion i Gjermanisë, Pep Guardiola kërkon kthesën drejt futbollit të ashtuquajtur “tiki-taka” për të pasur sukses në ofensivën e gjigantëve bavarezë drejt objektivit më madhor të Champions League-s.

“E di që ne nuk jemi perfektë, por duhet të përmirësohemi”, tha trajneri spanjoll i Bayernit pas fitores rutinë të së shtunës, 2-0 ndaj një kundërshtari të vendeve të fundit si Stuttgarti.

Nën drejtimin e Guardiolës, Barcelona dominoi futbollin spanjoll duke fituar 14 trofe nga viti 2008 deri në 2012-n me stilin e veçantë të pasimeve të shpejta, të quajtur edhe “tiki-taka”, në mënyrë që të mbanin zotërimin e topit dhe të mos ia linin atë kundërshtarit.

Bayerni vazhdon t’i gëzohet përqindjes së lartë të kontrollit të topit prej rreth 70% nën drejtimin e Guardiolës, e tashmë janë me një diferencë prej 8 pikësh në krye të Bundesligës, si dhe në rrugën e duhur drejt titullit të tretë radhazi në Gjermani.

Por, pas tre performancave jo shumë të kënaqshme deri më tani gjatë vitit 2015, nga një Bayern të cilin po mësohemi ta shohim gjithnjë me standarde të larta, tekniku spanjoll do të mundohet të rikthejë taktikën e tij të preferuar gjatë kësaj jave, përpara se të nisë kompeticioni më i lakmuar europian.

Fituesit e Champions-it të vitit 2013 do të duhen të udhëtojnë drejt Lvivit më 17 shkurt për t’u përballur me Shakhtar Donetsk, kjo për shkak të situatës politike në Ukrainë, në ndeshjen e vlefshme për raundin e 1/8-ave. Hamburgu është rivali i radhës i Bayernit në kampionat, me të cilin do të përballet të shtunën në Mynih në atë që do të rezultojë si ‘nxehja’ e fundit përpara Europës, por Guardiola kërkon nga bavarezët e tij të mos shfaqin “dashuri” ndaj gjermano-veriorëve në ditën e Shën Valentinit.

“Duhet të kapim sërish standardin tonë më të lartë të të luajturit, ky është objektivi ynë për ndeshjet e ardhshme, – tha Guardiola. – Çelësi i suksesit është të vrapojmë më pak dhe të luajmë më shumë, duke i bërë pasimet sa më të shpejta të jetë e mundur”.

Dy gola të mrekullueshëm nga Arjen Robben dhe David Alaba, ky i fundit me goditje dënimi, i dhanë Bayernit 3 pikët e radhës në Stuttgart, por Guardiola kërkon më shumë. “Fitorja ishte e rëndësishme për aspektin psikologjik, por edhe për renditjen tonë në Bundesliga – shtoi Pep. – Rezultati ishte gjithashtu i rëndësishëm për përgatitjet tona ndaj Hamburgut dhe Donetskut, por kemi ende për t’u përmirësuar për të arritur në nivelin tonë”.

Top Channel