Juve mposht 3-1 një Milan pa identitet, 10 pikë larg Romës

08/02/2015 00:00

Juventusi ka rritur distancën në krye të Serisë A kundrejt rivalëve për titull, Romës, pas një fitoreje bindëse 3-1 ndaj një Milani thuajse inekzistent në fushë.

Pavarësisht formës së paqëndrueshme të treguar, kuqezinjtë konsideroheshin ende si një rrezik për bardhezinjtë, të cilët u përpoqëm “të lanin hesapet” shumë shpejt, duke kaluar në avantazh me anë të Carlos Tevezit, në minutën e 14.

Një ndër të afruarit e fundit në Milano, Luca Antonelli, shënoi golin e barazimit momental brenda pak minutash, duke dhënë përshtypjen e një lloj reagimi nga të besuarit e Inzaghit, por ishte mbrojtësi juventin Leonardo Bonucci, ai që kaloi sërish në avantazh Juven brenda pjesës së parë.

Ndërkohë në të dytën, Milani dukej si një ekip që vetëm shëtiste në fushë, pa asnjë vizion të qartë loje dhe me shumë gabime në pasime dhe, duke pasur parasysh edhe largimin e Menezit për shkak të një gjendjeje jo të mirë shëndetësore, i dhanë mundësi kështu Juventusit të shënonte golin e tretë me Alvaro Moratën, e të rrezikonte edhe për gola të tjerë.

Më herët gjatë së shtunës, edhe skuadra tjetër e Torinos arriti të mposhtte Veronën 3-1 në transfertë. Martinez, Quagliarella dhe El Kaddouri ishin autorë të golave, ndërkohë që për veronezët shënoi Luka Toni, atë që konsiderohet si gol nderi.

Këtë të diel do të zbresë në fushë Roma ndaj Cagliarit në transfertë, por spikasin edhe sfida si Napoli-Udinese dhe Inter-Palermo në mbrëmje.

Top Channel