Allegri: Nuk do të jetë e lehtë ndaj Milanit

06/02/2015 00:00

Në prag të supersfidës Juventus-Milan, Massimiliano Allegri doli në konferencë për shtyp dhe vlerësoi kuqezinjtë, pavarësisht një muaji janar të tmerrshëm që ata kaluan në aspektin e rezultateve.

Trajneri i Juventusit tha: “Mbetet gjithmonë një ndeshje e madhe dhe e vështirë. Milani fitoi ndeshjen e fundit, vjen nga një janar i vështirë, por në dhjetor u paraqit shumë mirë. Ka bërë një merkato të mirë dhe do të luftojë për një vend në Europë.”

Edhe pse ka 7 pikë diferencë nga Roma e vendit të dytë, Allegri theksoi se kampionati nuk është fituar ende.

“Për të fituar kampionatin duhen 94 pikë dhe na duhen shumë fitore të tjera. Roma dhe Napoli janë ende në luftë”, deklaroi Massimiliano Allegri.

Ndeshja Juventus-Milan do të luhet të shtunën në orën 20:45.

Top Channel