Kimi nuk e fsheh kënaqësinë: Kemi bazën e duhur për t’u përmirësuar

05/02/2015 00:00

Pas përfundimit me sukses të provave dimërore të Jerez-it në Spanjë, finlandezi i “kokëkuqes” Raikkonen është shprehur me superlativa për këtë hap të madh përpara që kanë bërë deri më tani.

“Gjatë dimrit kemi bërë një hap të madh përpara. Kjo makinë është shumë herë më e mirë sesa ajo e vitit 2014”, ka thënë Kimi, duke mos fshehur kënaqësinë e tij pas regjistrimit të kohës më të mirë absolute të testimeve në pistën spanjolle.

“E gjithë ‘paketa’ e testuar këtë herë ka bërë shumë progres, por kemi ende punë për të bërë”, ka vijuar piloti i dytë i Ferrarit.

“Nuk duam të bëjmë llogari me konkurrencën, por kemi punuar për veten tonë, pa parë atë që kanë bërë të tjerët. Kohët e marra deri tani vlejnë pak, por e rëndësishme është që kemi bërë një numër xhirosh të konsiderueshëm, pa ndonjë problem. Kushtet sot nuk kanë qenë të mira, sepse kishte shumë erë në pistë, por fundi ka qenë i njëjtë për të gjithë. Ritheksoj se tashmë kemi një bazë të mirë për të nisur zhvillimin e mëtejshëm të kësaj makine”.

Top Channel