Kupa e Shqipërisë, Kukësi dhe Partizani pranë kualifikimit

04/02/2015 00:00

U luajtën 4 ndeshjet e para të Kupës së Shqipërisë, kompeticioni i dytë futbollistik në vend për nga rëndësia. Ndeshja më e fortë duke parë emrat e skuadrave ishte padyshim ajo mes Flamurtarit dhe Skëndërbeut që u mbyll në barazim 1-1.

Në një terren tejet të rënduar, vlonjatët kalojnë të parët në avantazh në minutën e 61-të me Nikoliç, ndërkohë që barazojnë korçarët me një 11-metërsh me kapitenin Shkëmbi.

Në Krujë, Tirana u ndal në barazim 2-2 nga Apolonia. Fierakët kanë treguar se nuk janë më ekipi i fazës së parë duke vënë në vështirësi bardheblutë të cilët vazhdojnë të kenë vështirësi të krijojnë lojë.

Ndërkohë, Kukësi ia ka marrë dorën Vllaznisë dhe e mund sërish në shtëpi me rezultatin e pastër 0-2, duke hedhur një hap të sigurt drejt kualifikimit.

Në takimin tjetër, Partizani ka mposhtur 2-0 Laçin falë golave të Trashit dhe Bylykbashit. Të kuqtë e Duros presin të qetë ndeshjen tjetër që do të luhet pas 2 javësh, më 18 shkurt, ndërsa në dyshim është kualifikimi në çiftet Apolonia-Tirana dhe Skëndërbeu-Flamurtari.

Top Channel