“Pleshti” vlen 250 mln? Cristiano edhe më shumë… Mendes: 400 mln euro

04/02/2015 00:00

Gjatë viteve të fundit kemi parë shumë transferime, të kryera për shifra çmendurisht të larta, e që vijojnë të rriten pa ndalim, jo proporcionale dhe të paimagjinueshme dy dekada më parë.

Megjithatë, Jorge Mendes, agjenti i shumë emrave të njohur, përfshi këtu Cristiano Ronaldon por edhe trajnerin Jose Mourinho, e di mirë që këto shifra hiperbolike nuk do të frenohen, përkundrazi…

Duke folur për BBC, agjenti i CR7 ka fiksuar edhe çmimin e kartonit të 3 herë fituesit të “Topit të Artë”: as më pak e as më shumë, plot 400 milionë euro. Një shifër që të lë pa frymë, por vështirë se Reali – pavarësisht çfarë mund të mendojë – do të ishte kundër një vlere kaq të madhe të një prej aseteve më të çmuara të “merengues”-ve.

Pas 93 milionë eurove të paguara nga “Los Blancos” për portugezin në vitin 2009, si dhe rreth 100 milionëve sërish nga klubi i Florentino Perezit për Gareth Bale një vit e gjysmë më parë, u duk se ishin arritur limitet, por jo.

Messi, në diskutime e sipër mbi merkaton, është vlerësuar së fundi plot 250 milionë euro, e shumëkush mund të mendojë se ky rekord nuk mund të tejkalohet. Por Jorge Mendes mendon se asi i tij nën mëngë vlen edhe më shumë sesa “pleshti” argjentinas.

“Nëse Reali i Madridit do të vendoste ta shiste Cristianon, i interesuari do të duhej të paguante 400 milionë euro”, edhe pse në fakt klauzola për prishjen e kontratës së tij aktuale me madrilenët është 1 miliard euro.

E pavarësisht se mund të konsiderohet si një shifër e pamundur për t’u paguar, ka nga ato ekipe që janë të gatshme të bëjnë çmendurira: Paris SG, Manchester City apo Manchester United… ku i dihet, ndonjë prej këtyre klubeve mund ta mendojë seriozisht.

Top Channel