F1, testimet e Jerezit, Raikkonen i lë vendin Nasr, por Ferrari…

03/02/2015 00:00

Në ditën e tretë të testimeve në Formula 1, në prag të Botërorit 2015, Ferrarit i është dashur të braktisë titullin e “njëvendëshes më të shpejtë”.

Pas dy sesioneve të para, në të cilat spikatën “kokëkuqet” SF15-T të Vettelit dhe Raikkonenit, këtë herë finlandezi duhet të kënaqet me vendin e dytë, duke e mbyllur pas shpinës së brazilianit Nasr me Sauber, i cili shënoi kohën 1 min 21 sek 545, e në të tretin u rendit Rosberg me Mercedes.

Nasr, i cili do të debutojë në Formula 1 këtë sezon të ri, ka realizuar kohën më të mirë të kronometruar të ditës, me goma të mesme, duke zhvilluar plot 108 xhiro me Sauberin, që gjithsesi diçka e ka “ferrariste”: pikërisht motorin.

Finlandezi Raikkonen ka zhvilluar vetëm 92 xhiro, në ditën e tij të debutimit me “SF15-T”, pasi në dy ditët e para të provave ka qenë Sebastian Vettel në timonin e saj, ka mbetur në krye të renditjes gjatë mëngjesit, por në mbrëmje është dorëzuar para brazilianit.

Vendi i tretë për Nico Rosberg, i katërti për Massan me Williams dhe i pesti Pastor Maldonado me Lotus, por me ndryshimin që ka garuar me goma të buta. Në mbrëmje nuk është kthyer në pistë Alonso me McLaren Honda. Pas 32 xhirove të zhvilluara në mëngjes, spanjolli ka qëndruar në bokse për shkak të një problemi në njësinë motorike të “MP4-30”.

Ja kohët e regjistruara ditën e tretë:

1. Felipe Nasr, Sauber, 1’21’’545, 109 xhiro
2. Kimi Raikkonen, Ferrari, 1’21’’750, 94 xhiro
3. Nico Rosberg, Mercedes, 1’21’’982, 151 xhiro
4. Felipe Massa, Williams, 1’22’’276, 71 xhiro
5. Pastor Maldonado, Lotus, 1’22’’713, 96 xhiro
6. Carlos Sainz Jr, Toro Rosso, 1’23’’187, 137 xhiro
7. Daniel Ricciardo, Red Bull, 1’23’’901, 49 xhiro
8. Fernando Alonso, McLaren, 1’35’’553, 32 xhiro

Top Channel