Parma drejt “çmobilizimit”, afat deri më 16 shkurt presidentit të ri shqiptar për pagat

03/02/2015 00:00

Kaosi te Parma nuk njeh fund. I fundit që largohet është Nicola Pozzi, sulmues që i është bashkuar Chievos me një kosto transferimi, që nuk lë shumë për të imagjinuar mbi atë që po ndodh te klubi emilian, i cili ka kaluar së fundi në duart e presidentit Ermir Kodra.

Pozzi është dhënë huazim me të drejtë blerjeje në fund të sezonit për vetëm 1 mijë euro. Po, vetëm 1 mijë euro, për një transferim që është kryer në fund të kësaj merkatoje dimërore, e që ka bërë të gjithë ambientin sportdashës në Itali ta konsiderojë si çështje të veçantë klubin emilian.

Janë shitur plot 9 lojtarë: Acquah, Cordaz, Ristovski, De Ceglie, Bidaoui, Paletta, Lucas Souza, Rispoli, Pozzi; ndërkohë që Cassano dhe Felipe kanë prishur kontratën. Është afruar vetëm një lojtar, Cebolla Rodriguez nga Atletico Madrid, i cili vetëm pak më vonë është rrëfyer se nuk dinte asgjë mbi situatën te Parma. “Besoja se vështirësitë ishin të lidhura vetëm me rezultatet e dobëta, por nuk dija që pagat nuk jepen prej 6 muajsh”.

Rasti “Cassano” ka rikthyer në kujtesën e të gjithëve në Emilia fjalën “çmobilizim”, që ishte zhdukur prej kohësh nga qarkullimi. Ashtu si dhe “FantAntonio”, edhe Felipe ka përshëndetur Emilian, ndërkohë që largimi i Lodit është sfumuar vetëm në fund të merkatos, ashtu sikurse dhe afrimi i Livajas. Por arratia më e madhe ende nuk ka përfunduar, sepse po afrohet një tjetër etapë e nxehtë.

Skuadra në fakt ka vendosur 16 shkurtin si datën përfundimtare për shlyerjen e pagave të munguara dhe Galloppa, një prej të besuarve të grupit të Donadonit (trajner i Parmës), ka thënë: “Pas këtij afati do të duhet të mbrohemi ligjërisht. Nuk mund të bëjmë gjë tjetër. Kemi qenë më shumë sesa korrektë duke paralajmëruar presidentin. Qëllimi ynë është të veprojmë të gjithë si grup, pas skadimit të afatit të këtij muaji”.

Edhe vetë Donadoni, të dielën pas humbjes në “San Siro” me Milanin, ka qenë mëse i qartë: “Pas afatit përfundimtar të shkurtit, secili prej nesh do të marrë vendimin që i duket më i mundshëm”. Nëse Galloppa dhe të tjerët do të ndjekin të njëjtën rrugë si Cassano, kjo mbetet për t’u parë, por nëse ndodh atëherë do të shohim shumë të rinj në fushat e blerta nga marsi e në vazhdim. Gjithsesi, në çdo rast, klubi që drejtohet tashmë nga shqiptarët, është paralajmëruar: të gjithë janë me valixhet gati.

Top Channel