Peshëngritje, FSHP: Shqipëria nuk përjashtohet, shkojmë në Europian

02/02/2015 00:00

Federata Shqiptare e Peshëngritjes ka deklaruar se përgjigjja e testit B për 2 peshëngritësit e tjerë, Hysen Pulaku dhe Daniel Godelli, ende nuk ka ardhur dhe do të publikohet vetëm kur të vijë në mënyrë të detajuar.

“Ne nuk u kemi fshehur mediave, në mënyrë absolute, por nuk kemi ende një përgjigje të testit B të Hysen Pulakut dhe Daniel Godellit. Duhet kjo broshurë prej 75 fletësh, e cila është e mbushur me detaje për çdo, dhe që i përket Romela Begajt”, tha Elez Gjoza, president i FSHP-së,

“Në momentin që do t’i kemi siç kemi edhe këtë, atëherë do t’i publikojmë”, theksoi Ilir Kulla, zv.president i FSHP-së.

Presidenti Gjoza ka deklaruar se do të hedhë në gjyq Federatën Botërore të Peshëngritjes, e cila ka shkelur të gjitha rregullat në lidhje me kampionin e botës, Daniel Godelli.

“Përgjigjja e testit A të Daniel Godellit na ka ardhur neve në Federatë pas 28 ditësh, kur rregulli është brenda 21 ditëve. Ne do t’i hedhim në gjyq, se përse vjen një përgjigje 7 ditë pas rregullit. Absolutisht që ne do t’i shkojmë deri në fund kësaj historie, për të nxjerrë të vërtetën”, tha më tej Elezi.

Presidenti Gjoza u ka dhënë fund dyshimeve dhe thashethemeve për një pezullim apo përjashtim të Federatës sonë nga aktivitetet ndërkombëtare. Madje, Gjoza thekson se medaljet do të vazhdojnë të vijnë në Shqipëri, ashtu si më parë.

“Federata e Peshëngritjes nuk është dënuar momentalisht dhe ju garantoj se nuk do të dënohet. Ne do të marrim pjesë në Europian, absolutisht në Olimpiadë, por edhe në Botëror. Dhe përsëri do të vijmë me medalje nga këto aktivitete”, deklaroi presidenti Elez Gjoza.

Pezullimi i këtyre 3 sportistëve pritet të vazhdojë të paktën deri në maj, kur të dalin para panelit të dëgjimit, dhe i vetmi peshëngritës elitar nga i cili mund të presim medalje mbetet Erkand Qerimaj.

Top Channel