Moratti e Moggi shtrëngojnë duart…në gjykatë

02/02/2015 00:00

Polemikat mes Juventusit dhe Interit për skandalin “Calciopoli” nuk do të reshtin kurrë, por kjo nuk i ka penguar dy prej aktorëve më kryesorë të këtyre polemikave që të shtrëngojnë duart edhe pse në një vend të pazakontë.

Ish-presidenti i Interit, Massimo Moratti dhe ish-Drejtori Sportiv i Juventusit, Luciano Moggi shtrëgnuan në sallën e një gjykate në Milano, ku i pari ishte thërritur si dëshmitar dhe i dyti si i paditur për shpifje nga ana e Interit për disa deklarata të lëshuara në vitin 2010 kundër Giacinto Facchetti-t.

Hapin e parë e ndërmori ish-presidenti zikaltër i cili para dhe pas dëshmisë shkoi të takonte Luciano Moggi-n të ulur në një prej karrigeve të gjykatës.

Sa i përket objektit të gjykimit, gjithçka lidhet me një deklaratë të Luciano Moggi-t, i dënuar në Napoli për Calciopoli-n, në 2010 iu kundërpërgjigj një deklarate të mëhershme të Javier Zanetti-t, në atë kohë kapiten i Interit.

“Ajo që zbardhi dhe do të vijojë të zbardhet nga procesi i Napolit, janë telefonatat e ish-presidentit tënd (Facchetti) me arbitrat ku kërkohej me këmbëngulje fitorja e ndeshjes kundër Kaljarit, e vlefshme për Kupën e Italisë. Arbitri ishte Bertini dhe për këtë ka përgjime, ka telefonata të përgjuara, telefonata të Moratti-t vetë. Ndaj Zanetti bën mirë ta qepë. Është më mirë për të dhe për Interin”, deklaronte në atë kohë Moggi.

Për këtë deklaratë drejtuesit zikaltër vendosën të padisin ish-Drejtorin Teknik të Juventusit dhe në proces, Massimo Moratti ishte i thërritur për të dëshmuar nga avokati i Moggi-t.

I pyetur mbi telefonatat, ish-presidenti zikaltër pranoi se kishte zhvilluar biseda me dizenjatorët e gjyqtarëve, por se asnjëherë nuk i kishte marrë ai dhe se gjithmonë bisedat zhvilloheshin për arbitrimin në përgjithësi e jo për të kërkuar favore.

“Në atë kohë nuk ishte e ndaluar të takoje gjyqtarët para ndeshjes. Përkundrazi ishte shndërruar në një traditë në shenjë respekti për ta”, deklaroi gjatë dëshmisë së tij ish-presidenti i Interit, duke mohuar akuzat për influencim tek gjyqtarët.

Procesi gjyqësor vazhdon.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel