Reali fiton edhe pa Ronaldon, Atletico barazon përkohësisht Barçën

01/02/2015 00:00

Edhe pse pa Ronaldon në fushë, Reali i Ancelottit arriti të reagojë mirë ndaj avantazhit të shpejtë të Sociedadit të David Moyes, dhe të regjistrojë fitoren e katërt radhazi në La Liga.

Madrilenët fituan 4-1 në “Santiago Bernabeu” dhe tashmë duhet të përgatiten për javën e ardhshme, ku brenda 7 ditësh do të ndeshet me Sevilla-n dhe Atletico Madrid.

Lojtarët “merengues” u shokuan nga goli i Elustondos në sekondën e 38, por e mblodhën veten shumë shpejt dhe barazuan në minutën e 3-të me anë të James Rodrigues. Pas këtij momenti, ndeshja foli e gjitha për Realin, i cili shënoi edhe 3 gola të tjerë, me anë të Sergio Ramos dhe Karim Benzema, ku dygolëshi i francezit u shënua gjatë pjesës së dytë.

Moyes pëson të tretën humbje që kur erdhi në krye të Sociedadit, ndërkohë që ende nuk ka fituar një takim në transfertë për ekipin bask.

Edhe Atletico Madrid ndoqi të njëjtin hap me madrilenët mbretërorë, teksa kanë fituar 3-1 në fushën e rënduar prej reshjeve të shiut të Eibarit. Megjithatë, sfida u vulos që në pjesën e parë, kur golat e Griezmann dhe dy të tjera nga Mandzukic nuk i lanë asnjë shpresë Eibarit, që gjeti golin e ngushëllimit në fund të ndeshjes me anë të Piovaccarit.

Kjo fitore për ekipin e Diego Simeones ishte e rëndësishme, pasi barazon përkohësisht me pikë Barcelonën e vendit të dytë, edhe pse mbetet 4 pikë larg Realit kryesues, i cili ka edhe një ndeshje më pak (ndaj Sevillas) për shkak të Botërorit të Klubeve në muajin dhjetor.

Celta Vigo fitoi 1-0 ndaj Cordobas ndërsa Granada mposhti 1-0 Elchen në dy ndeshjet e tjera të së shtunës.

Top Channel