Kandidatët për kreun e FIFA-s, Blater përballë kandidatëve të fortë

29/01/2015 00:00

Akuzat e korrupsionit në futbollin botëror kohët e fundit kanë shtuar radhët e të pakënaqurve, të cilët duan me çdo kusht ndryshimin e kreut të FIFA-s.

Afati i dorëzimit të kandidaturave për postin e presidentit të organizmit më të lartë të futbollit botëror përfundon të enjten në orën 23:00 dhe deri tani janë 5 personalitete që pretendojnë të rrëzojnë mitin Sepp Blater.

Pavarësisht se ka 17 vjet në këtë detyrë dhe akuzave të njëpasnjëshme për mitmarrje, zvicerani i cili garon për një mandat të 5 mbetet pretendenti kryesor për postin e presidentit. Por ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, këtë herë 78-vjecari ka përballë kundërshtarë të fortë.

I pari që deklaroi synimet e tij për këtë post ishte francezi Jerome Champagne, ish-zv.sekretar i FIFA-s. Champagne është njëkohësisht dhe këshilltar i Federatës Kosovare të Futbollit për njohjen e saj në arenën ndërkombëtare.

Në garën për president është hedhur edhe Princi Ali Bin Al-Hussein i Jordanisë i cili ndodhet aktualisht anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s. Nëse fiton, princi i jordanisë do të bëhet president i dytë më i ri në historinë 111-vjeçare të FIFA-s.

Mes kandidaturave është dhe fituesi i Topit të Artë në vitin 2000 Luis Figo. Portugezi ka shprehur hapur qëndrimet e tij kundër politikave të presidentit aktual.

42-vjeçari ka pohuar se me ardhjen e tij në këtë post do të bëjë të pamundurën për të ngritur imazhin e FIFA-s që vitet e fundit është cënuar rëndë nga korrupsioni.  

Kësaj liste i janë shtuar edhe presidenti aktual i Federatës Holandeze të Futbollit, Michael Van Praag dhe ish-futbollisti francez David Ginola, për këtë të fundit thuhet se i është futur garës thjesht për t’i bërë publicitet kompanisë së tij.

Gjithsesi të gjithë pretendentët kanë 4 muaj kohë që të marrin mbështetjen e anëtarëve të FIFA-s të cilët me 29 maj do të vendosin presidentin e ri të organizmit më të lartë të futbollit botëror.

Top Channel