Kupa e Italisë, Morata çon Juventusin në gjysmëfinale

29/01/2015 00:00

Edhe pse vuajti shumë ndaj Parmës, Juventusit i mjaftoi një gol nga Morata në minutën e 89 për t’u kualifikuar në gjysmëfinale të Kupës së Italisë.

Parma renditet e fundit në Serinë A, po në këtë ndeshje ishte një skuadër krejtësisht tjetër, duke ia bërë mjaft të vështirë shënimin e golit Juventusit që udhëheq renditjen në kampionat.

Për të parë rastin e parë të vërtetë në këtë ndeshje duhej pritur fundi i pjesës së parë, kur një krosim pa shumë pretendime i Pepes u ndal vetëm nga shtylla e portës së mbrojtur nga Mirante.

Edhe në pjesën e dytë rastet e pastra për shënim ishin të rralla deri në minutën e 89, kur Morata realizoi pas një asisti nga Lorente.

Pas Lacios, kampionët në fuqi, të drejtuar nga Alegri, janë skuadra e dytë që vazhdon rrugën më tej në kompeticionin e dytë për nga rëndësia në futbollin italian. Ata do të ndeshen në gjysmëfinale me fituesen e çiftit Roma-Fiorentina.

Top Channel