Lacio fundos Milanin, e eliminon edhe nga Kupa, Cana ndëshkohet me të kuqe

27/01/2015 00:00

Tre ditë pas humbjes në kampionat, Milani merr një tjetër goditje nga Lacio. Këtë herë skuadra e drejtuar nga Filippo Inzaghi u mund 0-1 në “San Siro” dhe i dha lamtumirën Kupës së Italisë, e cila ishte dhe shpresa e fundit e kuqezinjve për një vend në Europë sezonin e ardhshëm.

Para ndeshjes, mediat italiane theksonin se ky 90 minutësh do të ishte vendimtar për të ardhmen e Inzaghi-t si trajner i Milanit, tani pas humbjes mbetet për t’u para se si drejtuesit e klubit do të veprojnë me të.

Ndërkohë edhe pse luajtën për më shumë se 45 minuta me 10 lojtarë, për shkak të daljes me të kuq të Lorik Canës, 11-metërshi i Biglia-s i shënuar në minutën e 38 mjaftoi që Lacio të kalojë në gjysmëfinalet e Kupës së Italisë.

Përveç Lorik Canës, në formacionin e Lacios ishte që nga minuta e parë edhe Etrit Berisha, i cili zhvilloi një ndeshje të shkëlqyer, duke frenuar lojtarët vendas në disa raste të pastra për shënim.

Ndeshjet e tjera të këtij raundi janë, Parma-Juventus, Roma-Fiorentina dhe Napoli-Inter.

Top Channel