Kupa e Afrikës, Algjeria dhe Gana në çerekfinale

27/01/2015 00:00

Algjeria u kualifikua për në çerekfinalet e Kupës së Kombeve të Afrikës pas një fitoreje 2-0 ndaj një Senegali zhgënjyes, i paaftë për të korrigjuar gabimet e panumërta në mbrojtje dhe për të prodhuar një lojë të rrjedhshme.

Edhe pse me emra të shquar në vijën e sulmit (Mane, Diouf, N’Doye apo Cisse), senegalezët kthehen para kohe në shtëpi duke konfirmuar se pa lojtarë të mirë në mbrojtje, është vështirë të bësh paraqitje dinjitoze.

Golat për Algjerinë u shënuan nga Riyad Mahrez (11’) dhe Nabil Bentaleb (82’).

Edhe Gana ka arritur të kualifikohet për në çerekfinalet e turneut  pasi ka mundur 2-1 Afrikën e Jugut në ndeshjen e fundit të grupit C. “Shqiponjat e Zeza” përmbysën golin e Masango falë realizimeve të Boye dhe Andre Ayew në pjesën e dytë të ndeshjes.

Cerekfinalistët e tjerë të Kupës së Afrikës janë Kongo, Republika Demokratike e Kongos, Tunizia dhe Guinea Ekuatoriale, në pritje të ndeshjeve të fundit të grupit D, ku Kameruni, Bregu i Fildishtë, Guinea dhe Mali kanë të katërta nga 2 pikë dhe një golaverazh të njëjtë: 2-2.

Top Channel