Flamurtari kundërshton fitoren e tij, klubi akuzon për manipulim të ndeshjes

25/01/2015 00:00

“Një komedi e turpshme në një vend që nuk ka rregulla të qarta loje në asnjë fushë të jetës. Kemi të bëjmë me një kampionat i cili ka shumë pikëpyetje”.

Pas tifozëve të flamurtarit që kontestuan ashpër fitoren e skuadrës së tyre ndaj Teutës, edhe administratori i klubit, Sinan Idrizi ka mbetur i zhgënjyer madje i indinjuar nga ky 3 pikësh që erdhi pas një estrade të turpshme në minutat e fundit.

“Kur kemi ardhur për të menaxhuar klubin e futbollit Flamurtari me bashkinë ka qenë një kusht dypalësh, që ne do të ishim investitorë, financues të këtij projekti, ndërsa bashkia dhe shteti shqiptar do të na jepte garancitë ligjore, të cilat tashmë nuk ekzistojnë më dhe investimet tona vihen në rrezik. Në këtë vend që nuk ka rregulla loje ne kemi menduar edhe tërheqjen direkte”, deklaron administratori i klubit Flamurtari, Sinan Idrizi.

Administratori i Flamurtarit tregon pakënaqësinë e tij ndaj sistemit të ngritur gjatë këtyre viteve në futbollin shqiptar.

“Këtu problemi është i sistemit. Ai që luan pastër është më i dobët. Duhet të bëjnë çdo gjë nga e para”, shtoi Idrizi.

Administratori i klubit vlonjat pohon se mënyra më e mirë për të ringritur futbollin shqiptar është heqja e Superligës dhe e ndeshjeve të saj nga kuotimet e basteve.

“Duhet të negociojmë për të hequr ndeshjet e kampionatit nga bastet, të paktën të jemi të qetë nga kjo anë. Ne tërhiqemi nëse do të vazhdojmë me këtë lloj situate. Nuk kemi kohë për të humbur”, shtoi Idrizi.

Top Channel