Barcelona, festival golash ndaj Elches. E ndjek Atletico Madrid

25/01/2015 00:00

Ndryshe nga Reali i Madridit, Barcelona e pati shumë të lehtë ndeshjen me Elchen, duke i shkaktuar goleadën e tretë në harkun e vetëm pak ditëve.

Elche rezistoi deri në minutën e 36, kur Pique kaloi në avantazh skuadrën katalanase. Në pjesën e dytë i erdhi radha dyshes Neymar-Messi të jepnin spektaklin e tyre. Braziliani fitoi një 11-metërsh, që u kthye në gol nga Messi, duke e çuar rezultatin në 2-0.

Telashet për Elchen nuk u mbyllën këtu; Fajr e la skuadrën e tij në inferioritet numerik, pasi u ndëshkua me karton të kuq. Që nga ky moment, gjërat u bënë edhe më të lehta për Barcelonën, e cila filloi të bënte çfarë të dëshironte në fushën e lojës.

Binomi Messi-Neymar u shfaq edhe njëherë, kur braziliani i çoi shifrat në 3-0, pas një pasimi të Messit. Pak minuta më vonë, sulmuesit amerikano-latinë u shfaqën sërish “vrasës” në portën e Titon, me Messin që dha asist për Neymar dhe ky i fundit e dërgoi topin në rrjetë për të shënuar golin e tij të 14 në La Liga.

Historitë e kësaj ndeshjeje nuk u mbyllën këtu. Messi shënoi sërish për t’i çuar shifrat në 5-0, ndërkohë që edhe Pedro gjeti mundësinë për të shënuar golin e gjashtë, pas pasimit të Neymar.

* Shembullin e Realit e Barçës ndoqi edhe Atletico Madrid, që në “Vicente Calderon” mposhti Rayo Vallecanon me rezultatin 3-1.

Antoine Griezmann ishte ai që spikati në këtë përballje për skuadrën e drejtuar nga Diego Pablo Simeone, duke shënuar 2 golat e parë të këtj takimi, respektivisht në minutat 12 dhe 23, ndërkohë që për Rayon shkurtoi përkohësisht diferencën në 2-1, Trashorras.

Në pjesën e dytë, Atletico e çoi rezultatin në 3-1 dhe për këtë duhet të falenderojë Manucon, që shënoi autogol në portën e ekipit të tij.

Top Channel