La Liga, Reali fiton por nuk shkëlqen. Cristiano ndëshkohet me të kuq

25/01/2015 00:00

Reali i Madridit fitoi një tjetër ndeshje në kampionatin spanjoll. Skuadra “merengues” mundi këtë radhë Cordoban 2-1, në një takim, ku ajo nuk shfaqi lojën e saj më të mirë.

Cordoba e siguroi shumë shpejt avantazhin në atë ndeshje, falë një 11-metërshi të shndërruar në gol nga Gilas, që në minutën e tretë. Gjithsesi, Reali i Madridit arriti të barazojë rezultatin në pjesën e parë, me anë të Benzema.

Vlen për t’u përmendur merita e Cordobas, që nuk u tremb aspak nga fenomenët e Realit dhe në disa momente arriti të krijojë rrezik në portën e Casillasit, duke iu afruar edhe golit të dytë, por mungesa e saktësisë dhe e fatit nuk lejuan që porta e Realit të prekej për të dytën herë.

Në krahun tjetër, skuadra e Carlo Ancelottit ishte kaotike në lojën e saj dhe, sikur të mos mjaftonte kjo, mbeti edhe me 10 futbollistë, kur kishin mbetur 8 minuta nga fundi i ndeshjes. Cristiano Ronaldo, që mesa duket nuk i mbajtën nervat, goditi Eidmar dhe arbitri nuk ngurroi aspak t’i tregonte kartonin e kuq.

Shpëtimtari i Realit të Madridit u bë Gareth Bale. Uellsiani, pas një goditjeje dënimi, arriti të fitojë një 11-metërsh, për shkak të prekjes së topit me dorë të Cartabias, i cili u ndëshkua edhe me kartonin e dytë të verdhë, që u kthye në të kuq. Bale e ekzekutoi saktë 11-metërshin, duke i dhënë Realit 3 pikë shumë të rëndësishme, pavarësisht një loje krejtësisht të vaktë.

Top Channel