Aksidentet, për fajin e kalimtarëve, nuk respektojnë sinjalistikën

18/01/2015 00:00

24% e aksidenteve të ndodhura në Tiranë raportohet se kanë ardhur për shkak të mosrespektimit të sinjalistikës nga kalimtarët. Thënë ndryshe, në kryeqytet janë shënuar 153 aksidente për një vit me të vrarë në rrugë apo të plagosur kalimtarët.

E megjithatë, mjafton të drejtosh mjetin për pak minuta në Tiranë për të parë në çdo aks qytetarë që të ndërpresin rrugën në mënyrë të beftë. Për kreun e qarkullimit rrugor, Besmir Qibini, duhet të nisin fushata intensive për edukimin e qytetarëve në mënyrë që ata të kuptojnë se injorimi i semaforit dhe i vijave të bardha është injorim ndaj jetës.

“Kalimtari duhet ta kuptojë që zbatimi i rregullave të qarkullimit rrugor dhe ecja në vijat e bardha është për të siguruar jetën e tij”, thotë zoti Qibini.

Por, ka edhe njolla të tilla të rrezikshme sikurse ajo tek Ministria e Jashtme, ku lëndimi i kalimtarëve ndodh nga mosrespektimi i rregullave nga drejtuesit e automjetit: “Kjo është një nga “njollat e errta” ku shpesh ndodhin aksidente me pasojë vdekjen. Drejtuesit e mjeteve duhet t’i japin përparësi këmbësorëve, por kjo gjë nuk ndodh.”

Për të vijuar pak metra në të njëjtin aks me drejtim Urën e Tabakëve, kur sërish ndodhin aksidente: “Këtu janë këmbësorët ata që nuk respektojnë vijat e bardha, por kalojnë ku të duan.”

Por, cili është aksidenti tipik në kryeqytet? Kreu i qarkullimit rrugor shpjegon: “Shumica e aksidenteve ndodh sepse pasagjerët e një autobusi dalin nga pjesa e përparme e tij dhe drejtuesi i mjetit është i papërgatitur kur i del para këmbësori. Pasagjeri duhet të dalë në pjesën e pasme të autobusit.”

Aksi që konsiderohet një “njollë e zezë” nis nga Rruga e Kavajës për të përfunduar në Kombinat.

Cilat janë ato veprime që rrezikojnë jetën e qytetarit në rrugë?

“Nuk zbatojnë vijat e bardha, nuk shohin kur kalojnë nga njëri trotuar në tjetrin dhe nuk ecin mirë në rrugë”, thotë Besmir Qibini.

Top Channel