Valencia e Villarreal, në garë për vendin e katërt në La Liga

18/01/2015 00:00

Në mungesë të emrave të mëdhenj të futbollit spanjoll, si Reali, Barça e Atletico, ekipe që do të zbresin në fushë gjatë së dielës, të shtunën kanë spikatur fitoret e Valencias dhe Villarrealit, që së bashku me Sevillan janë në garë për vendet e mbetura që të çojnë në kupat e Europës.

Valencia triumfoi 3-2 ndaj Almerias, në një takim që u vendos nga një gol i shënuar 7 minuta nga fundi i kohës së rregullt prej Negredos, ndërkohë që gjatë pjesës së parë miqtë e Almerias, me sulmuesin Hemed, kishin barazuar dy herë avantazhet e sigluara prej Parejo dhe R. Moreno.

Një trepikësh që i siguron përkohësisht vendin e tretë ekipit nga “Mestalla”, edhe pse me pikë të barabarta me kampionët në fuqi të Atletico Madridit.

Ndërkohë, 3 pikë më pas ndodhet Villarreali, ekip që bëri një tjetër hap të konsiderueshëm drejt synimit për të përfunduar në vendet më të larta të mundshme, pas një fitoreje 2-0 kundër baskëve të Athletic Bilbaos. Cheryshev dhe Soriano me 11-metërsh ishin autorët e golave për Villarrealin, që nuk e vuri asnjëherë në dyshim rezultatin.

Të shtunën, Sociedadi i Moyesit humbi 0-1 në fushën e tij kundër Vallecanos, ndërsa Espanyol fitoi me rezultat minimal ndaj Celta Vigos, me gol të minutës së 90 nga Caicedo.

Top Channel