Guardiola: Alaba është rekuperuar nga dëmtimi

16/01/2015 00:00

Pep Guardiola ka bërë të ditur se David Alaba është rekuperuar nga dëmtimi që e la rreth dy muaj jashtë fushave. Trajneri i Bayern Munchen ka deklaruar se nëse nesër do të ishte finalja e Champions League, Alaba do të luante 100%.

“Është gati për të luajtur. E pyesim çdo ditë për gjendjen e gjurit dhe ai thotë që është shumë mirë. Me të në fushë, ne jemi më të mirë. Është një lojtar që mund të luajë në çdo pozicion. Është i jashtëzakonshëm”, tha Guardiola, i cili shtoi se Alaba është një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës që ai drejton.

Futbollisti austriak u dëmtua në gju në fitoren 2-0 të Bayern Munchen ndaj Romës, në muajin nëntor. Ai iu rikthye stërvitjes me ekipin në fillim të këtij muaji dhe pritet që në 30 janar të kthehet në fushë, atëherë kur Bayern Munchen të luajë me Wolfsburg ndeshjen e parë të Bundesligës pas pushimit dimëror.

Top Channel