Reali rigjen fitoren pas dy humbjeve radhazi, mposht 3-0 Espanyolin

11/01/2015 00:00

Reali i Madridit rigjen suksesin pas humbjeve me Valencian në kampionat dhe Atletico Madrid në Kupën e Mbretit.

Në “Santiago Bernabeu”, skuadra e drejtuar nga Carlo Ancelotti mposhti Espanyolin me rezultatin 3-0, në një ndeshje ku vendosi menjëherë diktatin.

Në minutën e 12, James Rodrigez shënoi në portën e skuadrës së dytë katalanase duke kaluar në avantazh 1-0 madrilenët. Pas 16 minutash, Gareth Bale shtoi edhe më tej entuziazmin në shkallët e “Bernabeu”-t, duke shënuar golin e dytë dhe duke e çuar Realin e Madridit në dhomat e zhveshjes, në fundin e pjesës së parë, me avantazhin 2-0.

Fillimi i pjesës së dytë pa skuadrën “merengues” të mbetej me 10 futbollistë, pasi Coentrao u ndëshkua me kartonin e kuq për një ndërhyrje të ashpër me takë. Megjithatë, ky episod nuk ndikoi pothuajse aspak në lojën e Realit të Madridit, që arriti të gjejë edhe golin e tretë me Nacho, 13 minuta nga fundi i takimit.

Më pas, situata mbeti e pandryshuar dhe Reali i Madridit, me këtë fitore 3-0, siguroi 3 pikë të tjera që e ndihmojnë atë të konsolidojë vendin e parë në La Liga.

Top Channel