Napoli-Juve, kryendeshja e javës në Serinë A

10/01/2015 00:00

Pas barazimit ndaj Interit, Juventusin e pret një tjetër sfidë, akomë më
e vështirë se ajo përballë zikaltërve, të paktën në letër.

Bardhezinjtë do të përballen në transfertë kundër Napolit, skuadër që prej fitimit të Superkupës së Italisë, para vitit të ri është transformuar krejtësisht dhe këtë e tregoi edhe në sfidën përballë Cezenas, të fituar 1-4.

Misioni hakmarrës i Juventusit të Allegrit për atë humbje në Superkupë bëhet akoma më i vështirë po të kthehet koka pas e të shihen sfidat ndër vite. Bardhezinjtë nuk fitojnë në San Palo prej 15 vitesh dhe për të parë fitoren e fundit duhet të kthehemi në vitin 2000.

Me shumë gjasa Allegri do të hedhë në fushë 11 lojtarët e aktivizuar ndaj Interit, por jo më me skemën 3-5-2, por me 4-3-1-2, me Lichtsteiner, Bonucci, Chiellini dhe Evra në mbrojtje, Marchisia, Pirlo e Pogba në mesfushë e Vidal trekuartist në mbështetje të Tevez e Llorente.

Top Channel