Kaosi te Barcelona, Luis Enrique pranë shkarkimit: Dy ndeshje afat

07/01/2015 00:00

Të humbasësh një ndeshje të prish gjithnjë humorin, por ja që në futboll ndodh edhe diçka e tillë, ashtu siç i ndodhi Barcelonës kundër Real Sociedad.

Por të humbasësh besimin e Leo Messit, kjo “s’duhet të ndodhë”, madje është “e papranueshme”. Kështu i ka ndodhur edhe Luis Enriques, teknikut të katalanasve, i cili i ka ditët e numëruara në këtë periudhë krize që ka përfshirë klubin. I është dhënë kohë deri në fund të dy impenjimeve të radhës: me Elchen në Kupën e Mbretit dhe me Atletico Madridin në La Liga.

Sipas “Marca”-s, janë pikërisht këto dy sfida që do të tregojnë nëse do të shkarkohet trajneri apo jo. Pasi kanë prishur marrëdhëniet kontraktuale me Zubizarretan dhe pasi i kanë thënë “lamtumirë” edhe Puyolit, sa i përket aspektit drejtues, edhe për pankinën duket se po meditohet një zgjidhje radikale.

Pavarësisht rezultateve, që gjithsesi janë të një niveli të lartë, fakti që është pas Real Madridit dhe që ka krijuar një raport të gabuar me lojtarët por edhe me mënyrën e lojës bën që ish-tekniku i Romës dhe Celta Vigos, i cili u pa si një zgjedhje e duhur pas dy sezoneve të vështira të Barçës, po kthehet tashmë në një shqetësim.

Madje edhe fakti që Leo Messi ka raporte kaq të vështira me trajnerin është një tjetër problem serioz, por një problem vetëm për Luis Enriquen, dhe jo “pleshtin” argjentinas, i cili për pak ditë pret të mësojë nëse do të fitojë “Topin e Artë” të pestë apo jo.

Top Channel